Botë

Pleqtë italianë sfidojnë paragjykimet e shpërfaqura nga pandemia

Alviti u përball me një betejë të madhe kur koronavirusi arriti në Itali. Dy djemtë e tij insistuan që Alviti, 71-vjeçar dhe me diabet, të qëndronte në shtëpi dhe ata bënë rregullime të orareve në punët e tjera për ta mbajtur kioskën hapur. “Ata kishin frikë se do të vdisja. E di se çmenden pas meje”, ka thënë Alviti

Romë, 3 janar (AP) – Nga kioska e tij në një rrugë në Romë, Armando Alviti, ka shitur gazeta e revista për banorët lokalë nga agimi deri në muzg, gati çdo ditë për më tepër se gjysmë shekulli.

“Ciao, Armando”, e përshëndesin konsumatorët e tij çdo ditë. “Ciao, amore (i dashur)”, i kthehet ai.

Alviti qesh kur e kujton kohën, kur ishte i vogël, dhe shpërndarësit e gazetave vinin me motoçikleta për të marrë gazeta në kioskën e prindërve të tij. Ai tregon se si ata i bënin xhiro me motoçikletë, duke e vendosur në koshin e zbrazët në motoçikletë.

Qëkur ka mbushur 18 vjet, Alviti e ka drejtuar këtë kioskë shtatë ditë në javë. Kapela e leshtë e mbron atë nga dimri i ftohtë në Itali dhe ai e mban edhe një flladitëse për të nxehtin e madh gjatë verës. Por Alviti u përball me një betejë të madhe kur koronavirusi arriti në Itali. Dy djemtë e tij insistuan që Alviti, 71-vjeçar dhe me diabet, të qëndronte në shtëpi dhe ata bënë rregullime të orareve në punët e tjera për ta mbajtur kioskën hapur.

Si në kohë lufte

“Ata kishin frikë se do të vdisja. E di se çmenden pas meje”, ka thënë Alviti.

Autoritetet shëndetësore nëpër botë kanë përsëritur vazhdimisht nevojën për t’i mbrojtur njerëzit që janë më të rrezikuar nga komplikimet nga COVID-19, sidomos të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike. Me 23 për qind të popullatës mbi 65 vjet, Italia është vendi i dytë me popullatën më në moshë në botë, pas Japonisë, që ka 28 për qind të popullatës mbi 65 vjet.

Mosha mesatare e të vdekurve nga COVID-19 në Itali sillet rreth 80, shumica prej tyre me probleme të tjera shëndetësore, si me diabet apo sëmundje të zemrës. Disa politikanë kishin bërë thirrje që të kufizohet qarkullimi i të moshuarve për të evituar mbylljen e vendit në përgjithësi, që vinte me pasoja të rënda ekonomike.

Në mesin e tyre ishte edhe guvernatori i Ligurias, rajonit bregdetar në veriperëndim të Italisë, ku 28.5 për qind e popullatës është mbi 65 vjet. Guvernatori Giovanni Toti, që është 52-vjeçar, tha për strategjinë e kufizimit të lëvizjes për të moshuarit kur vala e dytë e pandemisë e goditi Italinë në vjeshtë.

Image

Për shitësin e gazetave në Romë, këto ishin fjalë lufte. Alviti tha se deklarimet e Totit se të moshuarit janë në pension dhe nuk janë të domosdoshëm për produktivitetin e ekonomisë së Italisë, ishin të rënda.

“Më neverit. Më zemëruan tepër”, thotë Alviti. “Të moshuarit janë jeta e këtij shteti. Janë kujtimi i këtij shteti”.

Ai thotë se të moshuarit e vetëpunësuar, si ai, nuk mund të mbahen mbyllur.

Goditja e madhe që i dha pandemia të moshuarve, veçanërisht atyre në shtëpi të kujdesit, mund të ketë ndikuar në këto thirrje të politikanëve, apo në paragjykimet e popullatës.

Familja e Alvitit kishte fituar raundin e parë, duke e mbajtur atë larg punës deri në maj. Djemtë e tij i kërkuan të qëndronte në shtëpi edhe kur goditi vala e dytë në vjeshtë.

Ai arriti një kompromis. Një nga djemtë e tij e hap kioskën në 6 të mëngjesit dhe Alviti e merr drejtimin dy orë më vonë, duke kufizuar ekspozimin ndaj publikut gjatë ngarkesës në mëngjes.

Fausto Alviti thotë se është i frikësuar për babanë, “por e kam kuptuar se për të, të qëndronte në shtëpi do të ishte dukshëm më keq, në aspektin psikologjik. Ai duhet të jetë me njerëz”.

Përtej pritjeve shoqërore

Në një treg të hapur të ushqimeve në lagjen “Trullo” në Romë, shitësi Domenico Zoccoli (80), po ashtu, hedh poshtë ato deklarime se njerëzit që e kanë arritur moshën e pensionit “nuk prodhojnë dhe duhet të mbrohen”.

Zoccoli çdo mëngjes del të shesë lakra, karota, portokaj e shumë pemë e perime të tjera, të gjitha që i ka kultivuar në fermën e tij rreth 30 kilometra larg këtij tregu.

“Të moshuarit duhet të veprojnë si ndihen. Nëse nuk mund të ecin, atëherë nuk kanë pse të ecin. Nëse e ndiej se mund të vrapoj, atëherë vrapoj”, thotë ai.

Pasi largohet nga tregu rreth orës 13:30, ai thotë se do të punojë edhe për disa orë në fushë.

Marco Trabucchi, një psikiatër me seli në Brescia në veri të Italisë, është i specializuar në sjelljen e të moshuarve.

“Pak vëmendje i është kushtuar individualitetit të të moshuarve. Ata ishin si kategori e padalluar, të gjithë të barabartë, të gjithë me probleme të njëjta, të gjithë duke vuajtur”, thotë Trabucchi.

Në Itali, shumë të moshuar, dukshëm përtej moshës së pensionit, punojnë duke u kujdesur për nipërit e tyre.

Sipas “Eurostat-it”, 35 për qind të italianëve më të vjetër se 65 vjet kujdesen për nipërit e tyre disa herë në javë.

Felice Santini, 79-vjeçar, dhe bashkëshortja e tij, Rita Cintio, 76-vjeçare, janë një çift i tillë. Ata kujdesen për dy nga katër nipërit e tyre disa herë në javë.

“Po të mos kujdeseshim, prindërit e tyre nuk do të mund të punonin”, thotë Santini. “Ne i ndihmojmë (djalin dhe gruan e tij) që të qëndrojnë si forcë punëtore produktive”.

Santini ende punon edhe vetë, me gjysmë-orari si mekanik i veturave. Më pas, kur vjen në shtëpi, i ka duart e zëna me kuzhinë: përgatit ushqimin.

Cintio e sheh shumë të vështirë që nuk është në gjendje t’i përqafojë nipërit. Por, ajo e përqafoi shkurtazi mbesën 9-vjeçare, Gaia Santini, kur ajo vrapoi në drejtim të saj nëpër një rrugë të ngushtë në Romë, derisa po kthehej nga shkolla. Cintio e merr Gaian në shtëpi për të pushuar, më pas e dërgon për në mësime të patinazhit.

I shqetësuar për valën e dytë të COVID-19, i biri, Cristiano Santini, mundohet që sa më pak t’i lërë fëmijët te gjyshërit e tyre.

“Ata janë të frikësuar nga infeksioni, por janë më të frikësuar të mos jetojnë më”, thotë Cristiano.

Image