Botë

Momentet e shpresës dhe guximit më 2020

Pandemia e koronavirusit izoloi njerëzit nëpër shtëpitë e tyre, por u ndihmoi që të jenë më aktivë në aspektin e thyerjes së heshtjes mbytëse brenda katër mureve.

Para shpërthimit të COVID-19, njerëzit nuk kishin ide se vallëzimet, koncertet, madje edhe muhabetet edhe më të shkurtra, mund të bëheshin përbrenda një dhome të ndejës, krejt falë pajisjeve teknologjike.

Përveç izolimit për t’u mbrojtur nga pandemia, në Lindjen e Mesme, njerëzit po ngujoheshin në shtëpi edhe shkaku i bombave.

Trevjeçarja siriane, Salawa, ishte vënë në qendër të vëmendjes në fillim të vitit, me të qeshurat e saja të zëshme. Kjo pasi babai i saj, Abdullah Mohammad, e kishte nisur një lojë me qëllim që e bija ta përballonte zërin e luftës.

Ai e kishte vërejtur se fëmijët pësonin tronditje dhe stres nga sulmet e përditshme ajrore. Këto tronditje ishte i vendosur të mos ia lejonte së bijës.

Mohammedi e kishte bindur se krismat e bombave ishin në fakt zhurma fishekzjarrësh që po i lëshonin fëmijët e lagjes dhe se nuk kishte përse të frikësohej.

Menjëherë pasi videoja u shpërnda rreth botës, e vogla Salwa dhe familja u ftuan që të nisin një jetë të re në Turqi.

Veterani britanik i Luftës së Dytë Botërore, kapiteni Tom Moore, u bë simbol i durimit në izolimin e Britanisë. Ai sfidoi veten me ecjen në oborr për ditëlindjen e tij të 100-të.

Ecja e tij e avashtë gjeneroi hiç më pak se 39 milionë funte për Shërbimin Shëndetësor të Britanisë dhe theu dy rekorde Guinness.

Kapiteni i pensionuar nga ushtria u shpall kalorës nga Mbretëresha Elizabeth në një ceremoni të veçantë për arritjen e tij.

E në kohën kur takimet dhe përqafimet ishin rralluar, gjyshërit italianë, Domenico di Massa dhe MariaAntonia Gangemi, nuk mund të ishin më të lumtur kur më në fund u ribashkuan me mbesën.

Takimi i tyre u bë i mundur kur Italia i liroi masat ndër më të ashprat të izolimit.

Sesilia pesëvjeçare për dy muaj nuk ishte takuar me gjyshërit, që para pandemisë i shihte çdo javë.

Në Kaliforni, studentët e diplomuar me anë të borive të automjeteve nuk lejuan që pandemia t’ua prishte festën.

Të veshur në kostume diplomimi, studentët morën pjesë në ceremoni duke qëndruar brenda veturave.

Mrekulli e vitit mund të konsiderohet shpëtimi i futbollistit 16-vjeçar, Zaborovski, në Rusi. Ai u godit nga vetëtima teksa po stërvitej me ekipin.

Pakkush ka menduar se do të mbijetonte.

Trajneri Anton Basov ia dha ndihmën e parë lojtarit që shpesh kishte shpëtuar ekipin, por kësaj here ishte ai që kishte nevojë për ndihmën e tyre.

Më pak se tre javë më vonë, Zaborovski u kthye në fushën e futbollit me disa të djegura në gjoks dhe qafë.

Një video e rosave në fushat me oriz në Tajlandë ishte prej më të shikuarave gjatë muajit shtator. Ato përdoren për të pastruar fushat me oriz dhe janë zëvendësim organik për pesticidet.

Pronarët e një qeni u befasuan kur në mesin e këlyshëve të sapolindur ishte edhe një me ngjyrë të gjelbër.

Cristian Mallocci nuk mund t’u besonte syve kur njëri prej qeneve të tij solli në jetë këlyshin me një ngjyrë të rrallë.

Një gjë e tillë megjithatë ndodh kur këlyshët vihen në kontakt me pigmentin e gjelbër teksa janë ende në barkun e nënës.

Pistachios së vogël dita-ditës do t’i zbehet ngjyra, teksa rritet.

Qyteti i Izmirit në Turqi në muajin tetor u trondit nga tërmeti i fuqishëm, por moment mrekullie ishte shpëtimi i një katërvjeçareje nga rrënojat e ndërtesës.

Ajo u gjet e gjallë më shumë se nëntëdhjetë orë pas tërmetit që la të vdekur mbi 100 persona.

Ekipet arritën ta shpëtonin pasi dëgjuan thirrjet e saj. E pas shpëtimit, vogëlushja Gezgin kërkoi ujë dhe ajran.

Në zgjedhjet amerikane të 3 nëntorit, vëmendje të madhe rroku 73-vjeçarja nga El Salvadori që votoi për herë të parë prejse ishte bërë shtetase amerikane.

Ajo u prit me serenadë në qendrën e votimeve.