Botë

Burri që u hospitalizua nga COVID-19. Pastaj sërish, e sërish...

Gjërat rutinore në jetën e Chris Longut përfshinin dikur ngasjet kilometrike me biçikletë të paktën tri herë në javë dhe ndjekjen e kurseve për studime postdiplomike. Por që kur u sëmur nga koronavirusi në mars, jeta e 54-vjeçarit Long ka marrë një kah krejtësisht të trazuar – të tillë që e shtriu atë në spital jo pak herë.

Që pas hospitalizimit pesëditor në fillim të prekjes nga virusi pandemik, Longu ka pasur shumë herë telashe me mushkëritë; ka filluar të kollitet në mënyrë të pakontrollueshme dhe ka pasur ethe të vazhdueshme. Përafërsisht 18 ditë më vonë, kishte nisur të villte vrer të gjelbër, një sinjal tjetër ky i betejës me pneumoninë.

E që punët të mos marrin fund me kaq, nisi t’i binte edhe niveli i oksigjenit dhe të rrahurat e zemrës iu përshpejtuan, duke bërë që të përfundonte sërish në spitalin e qytetit të tij Clarkson të Michiganit të SHBA-së, për disa ditë të tjera.

“Nuk do të marrë fund kurrë”, ka thënë ai, duke e përshkruar frikën e tij më të madhe për të përditshmen njujorkeze “New York Times”. “Duket se kështu do ta kem edhe për një të ardhme të paparashikueshme”.

Dukuri në rritje

Pas pothuajse një viti me pandemi, është bërë e qartë se shërimi nga COVID-19 mund të jetë një rrugëtim i mundimshëm dhe i pabarabartë. Tani, studimet kanë treguar se një numër i konsiderueshëm i pacientëve po shtrëngohen të kthehen në spitale, edhe për disa herë, si pasojë e komplikimeve që i shkakton sëmundja apo edhe për shkak të përpjekjeve të trupit për ta mposhtur virusin.

Image

Edhe në kohën kur vaksinat kanë nxitur shpresën për ndaljen e përhapjes së virusit, shtimi i rasteve të hospitalizimit të vazhdueshëm ka shkaktuar shqetësim.

“Është kjo një çështje urgjente mjekësore dhe e shëndetit publik”, ka thënë për “NYT” mjeku Girish Nadkarni, asistent-profesor i shëndetësisë në spitalin e New Yorkut “Mount Sinai, i cili, bashkë me profesoreshën Anuradha Lala, është duke i studiuar rastet e pacientëve me simptoma të zgjatura të COVID-19.

Të dhënat rreth rihospitalizimit të pacientëve janë të papërfunduara, por studimet e hershme kanë sugjeruar se vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me dhjetëra mijëra apo madje qindra mijëra të sëmurë në fund të fundit mund të kthehen në spitale.

Një studim i Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i kryer me 106.543 pacientë të hospitalizuar midis marsit dhe korrikut, ka treguar se një në çdo 11 të sëmurë është shtrirë sërish në spital dy muaj pas lirimit. Rreth 1.6 për qind e pacientëve ka dalë të jenë hospitalizuar më shumë se një herë.

E kjo dukuri nuk i përfshin vetëm pacientët, të cilët janë sëmurë rëndë në fillim të prekjes nga COVID-19.

“Edhe në rastet me simptoma shumë të lehta, të paktën një e treta e pacientëve kanë pasur simptomologji të theksueshme dy apo tre muaj pas infektimit”, ka thënë mjeku Eleftherios Mylonakis, shef për sëmundje infektive në shkollën mjekësore “Warren Alpert” pranë Universitetit Brown. “Është duke u evidencuar një valë e rihospitalizimeve, shkaku që në një pikë të caktuar këta persona do të raportojnë se nuk dihen ende mirë”.

Shumica e të rihospitalizuarve kanë shfaqur simptoma serioze, ngase ishin kryesisht mbi 65 vjeç dhe kishin edhe sëmundje të tjera kronike. Por edhe disa pacientë më të rinj dhe pa historik të sëmundjeve të mëparshme kanë përfunduar përsëri në spital.

Beteja për rimëkëmbje

Një numër i konsiderueshëm i pacientëve të rihospitalizuar kanë shfaqur probleme me frymëmarrjen, disa kanë pasur mpiksje të gjakut, telashe me zemër, sepsë, simptoma gastrointestinale dhe probleme të tjera, kanë raportuar mjekët e kontaktuar nga “New York Times”.

I këtillë ishte rasti i Chris Longut.

“Nuk mund të ngrihesha në këmbë. Më këputeshin këmbët”, ka thënë ai për gazetën.

Mjeku që e trajtoi për herë të parë, Benjamin Diaczok, i tha menjëherë që ta thërriste ambulancën. “Shkova zvarrë deri te dyert”, e përshkroi Longu momentin e fundit që i kujtohet.

Kur u zgjua kishin kaluar tri ditë dhe ishte në spital. Kur kaluan edhe dy ditë të tjera, ai u stabilizua mjaftueshëm për t’u kthyer në shtëpinë, ku jeton i vetëm, në veri të Detroitit.

E pas kësaj është hospitalizuar prapë në prill, maj, qershor, korrik, gusht dhe shtator, pasi i nevojiteshin furnizimi me oksigjen dhe trajtimi me antibiotikë, potasium dhe magnesium.

Image

Long, konsulenti i dikurshëm i sistemeve të tankeve për ushtrinë, tani ballafaqohet me mjegullimin e kujtesës.

“I lexoj 10 faqe të librit dhe pastaj, pesë minuta më vonë, pas një telefonate, nuk mbaj mend gjë prej asaj që kam lexuar”, thotë ai.

Dhe pas të gjitha këtyre përjetimeve, Longut i ka mbetur si shprehi që të masë vazhdimisht temperaturën dhe nivelin e oksigjenit. Thotë se mund ta ndiejë në gjoks kur “një telash është në ardhje”.

I vendosur që ta marrë veten, ai tani përpiqet që të ecë përditë distanca të shkurtra.

“A do t’ia dal të shkoj deri te shporta e mbeturinave?”, e pyet ai vazhdimisht veten. E në një ditë të mirë të tijën, ia del të ecë disa metra tutje, deri te kutia postare para shtëpisë së tij.

“Do të më duhet të arrij që të ec deri te shtëpitë e të bijave të mia dhe t’i shoh nipat”, ka thënë Long me zërin e thyer. “Nuk do të lejoj që të më mundë kjo gjë”.