Botë

Serbia fillon vaksinimin, kryeministrja Bërnabiq vaksinohet e para

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka marrë e para në Serbi një vaksinë anti-COVID të enjten, duke filluar procesin e vaksinimit të masës në këtë vend me vaksinën e Pfizer/BioNTech.

4875 doza të vaksinës së Pfizer/BioNTech janë transportuar në Serbi të martën, duke e bërë shtetin e parë në Ballkan që fillon vaksinimin për COVID-19, shkruan agjencia Reuters.

“Jam e nderuar që jam në gjendje të bëjë këtë për vendin tim dhe të jem e para, duke hapur rrugën për qytetarët tjerë që të vaksinohen”, ka thënë Bërnabiq, ndërsa ka marrë dozën e parë të vaksinës në Institutin e Virologjisë e Vaksinave në Beograd.

Ajo ka thënë se dërgesat e vaksinës së Kinës së prodhuar nga Sinopharm dhe asaj të Rusisë, Sputnik V, pritet të arrijnë së shpejti në Serbi, por nuk ka treguar kohën.

Ajo ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me shumë gjasë do të marrë vaksinën e Sinopharmit.

“Ne jemi pajtuar që të dy të marrim vaksina nga prodhues të ndryshëm”, ka thënë Bërnabiq.

Serbia do të marrë edhe vaksinat e prodhuara nga AstraZeneca dhe Moderna vitin e ardhshëm.

Shumica e dërgesës së parë të vaksinave të Pfizer/BioNTech do të dedikohen për të moshuarit në shtëpitë e kujdesit.