Botë

Amerikanët e pasur të gatshëm të paguajnë për të mos pritur në radhë për vaksinën anti-COVID

Descriptive Text

Vaksina e “Pfizerit” kundër koronavirusit ka nisur të shpërndahet te punëtorët shëndetësorë dhe te të moshuarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por prioritetizimi i kësaj kategorie ka bërë që miliona njerëz të tjerë të presin në radhë për t’u vaksinuar. “LA Times” raporton se të pasurit madje po shpresojnë që me para mund të shmangin pritjen në radhë.

Më të pasurit në Amerikë kanë kaluar më lehtë pandeminë e koronavirusit. Shumica e tyre kanë mundur të qëndrojnë në shtëpi duke porositur ushqime e gjërat e nevojshme dhe nëse sëmuren besohet se do të kenë qasje më të lehtë në kujdesin më të mirë mjekësor. Të gjitha këto “privilegje” megjithatë s’po u mjaftojnë.

Një doktor ka treguar për “Los Angeles Times” se si një qytetar ishte zotuar se do t’i dhuronte 25 mijë dollarë vetëm nëse do t’i ndihmonin të kalon radhën.

“Nëse i dhuroj 25 mijë dollarë, a do të më ndihmonte të kaloj radhën”, ka thënë të jetë pyetur nga një qytetar Dr. Jeff Toll. Ai i ka dhënë përgjigje negative.

Gjithsesi, për shkak se shumë të pasur amerikanë paguajnë për kujdes ekstra shëndetësor nga mjekët, ata mendojnë se mund të përfitojnë më herët në procesin e vaksinimit. Megjithatë, sipas mjekëve “është hera e parë që s’mund të bëjmë diçka për pacientët tanë”.

SHBA-ja të premten miratoi edhe vaksinën e dytë anti-COVID, atë të “Modernas”.

Shteti është më i prekuri nga COVID-19 në gjithë botën, me 17.5 milionë të prekur e 313 mijë vdekje.