Botë

Me Trumpin në heshtje, përgjigja ndaj hakimeve masive ruse bie mbi Bidenin

Mungesa e deklarimit rreth mbajtjes së Rusisë përgjegjëse i vë në dyshim gjasat për një përgjigje të shpejtë dhe sugjeron se çdo kundërveprim – qoftë ai nëpërmjet sanksioneve, apo padive kriminale a veprimeve kibernetike – do të mbetet në duart e administratës në ardhje të presidentit të zgjedhur Joe Biden

Washington, 18 dhjetor (AP) – Të gjithë gishtërinjtë janë drejtuar kah Rusia, e cila shihet si burimi i sulmit më të rëndë kibernetik ndaj agjencive qeveritare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, presidenti Donald Trump, kaherë ngurrues për ta fajësuar Moskën për sulmet e këtilla kibernetike, ka ruajtur heshtjen.

Mungesa e deklarimit rreth mbajtjes së Rusisë përgjegjëse i vë në dyshim gjasat për një përgjigje të shpejtë dhe sugjeron se çdo kundërveprim – qoftë ai nëpërmjet sanksioneve, apo padive kriminale a veprimeve kibernetike – do të mbetet në duart e administratës në ardhje të presidentit të zgjedhur Joe Biden.

“Mund ta marr me mend se administrata e ardhshme e kërkon një meny të opsioneve që janë në dispozicion dhe më pas të bëjë një zgjedhje”, ka thënë Sarah Mendelson, profesoreshë e politikave publike në Universitetin Mellon dhe ish-ambasadore amerikane në Këshillin për Ekonomi dhe Çështje Sociale në OKB. “A ekziston ndonjë sulm i garantuar? A ekziston sulm i gjithmbarshëm? Sa mund të bëhet?”.

“Rrezik i madh”

Sa për dijeni, nuk është gjë e pazakontë që administratat të tregohen ngurruese në adresimin e akuzave publike të fajësisë për hakime, derisa nuk mbledhin dëshmi të mjaftueshme.

Në këtë rast, zyrtarët amerikanë kanë thënë se vetëm para pak kohësh janë vënë në dijeni të ndërhyrjeve katastrofike në agjenci të shumta qeveritare, te të cilat agjentët e inteligjencave të huaja kanë bredhur të padetektuar për më tepër se nëntë muaj. Ama përgjigja e Trumpit, apo mungesa e saj, është duke u rishikuar me shumë kujdes shkaku i preokupimit të tij me përpjekjen e pajetësuar për rrëzimin e rezultateve zgjedhore të muajit të shkuar, si dhe për shkak të refuzimit të tij për të pranuar publikisht se hakerët rusë kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, në favor të tijin.

Se çfarë veprimi mund të ndërmarrë saktësisht Bideni nuk dihet qartë, siç nuk dihet nëse përgjigja e tij do të formësohet nga kritikat adresuar administratës Obama për veprim jo mjaftueshëm agresiv për të sprapsur ndërhyrjen më 2016. Ai ka ofruar disa sinjale gjatë së enjtes, duke thënë se administrata e tij do të jetë proaktive në parandalimin e sulmeve kibernetike dhe në ndëshkimin e çfarëdo kundërshtari që qëndron prapa tyre.

Deklaratat e adresuara nga qeveria amerikane deri më tani nuk kanë përmendur Rusinë. I pyetur rreth përfshirjes ruse gjatë një radio-interviste të hënën, sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka bërë të ditur se Rusia mundohet vazhdimisht t’i penetrojë në shërbimet amerikane, por shumë pak pas kësaj u përqendrua në kërcënimet nga Kina dhe Koreja Veriore.

Senatorët demokratë, Dick Durbin dhe Richard Blumenthal, ishin të palëkundur në fajësimin e Rusisë. Janë dhënë edhe sinjale të tjera nga administrata për identifikimin e qartë të peshës së sulmit, i cili ka ndodhur pasi hakerët e avancuar e injektuan një kod malinj në softuerin e një kompanie që ofron shërbime të rrjetit. Agjencia civile e sigurisë kibernetike ka paralajmëruar gjatë së enjtes se hakimi përbën një “rrezik të madh” për rrjetet qeveritare dhe ato private.

Matja e opsioneve të kundërpërgjigjes

Përgjigja duhet të fillojë me një deklaratë publike se Rusia besohet të jetë përgjegjësja, siç tanimë është vlerësuar gjithmbarshëm në qeverinë amerikane dhe në komunitetin e sigurisë kibernetike. Deklaratat e tilla rëndom nuk janë të atypëratyshme. Janë dashur javë pas publikimit të incidenteve, para se administrata Obama të drejtonte gishtin kah Koreja Veriore lidhur me hakimin në “Sony Pictures Entertainment” më 2014 dhe para se që drejtori i atëhershëm i Inteligjencës kombëtare, James Clapper, ta konfirmonte Kinën si “të dyshuarin kryesor” për hakimin në Zyrën e Menaxhimit të Personelit.

Identifikimet dhe fajësimet publike janë rëndom punë “librash”. Ish-këshilltari i Trumpit për siguri të brendshme, Thomas Bossert, kishte shkruar këtë javë në “New York Times” se “SHBA-ja, dhe në rastin më të mirë aleatët e saj, duhet që ta atribuojnë publikisht dhe zyrtarisht fajësinë për këto sulme”.

Senatori republikan, Mitt Romney, ka thënë në një intervistë për radion “SiriusXM” se ishte “e çuditshme” që Shtëpia e Bardhë nuk është deklaruar deri më tani.

Një tjetër mundësi është ngritja e një padie federale, gjë kjo që nënkupton se hetuesit mund të mbledhin dëshmi të mjaftueshme rreth përfshirjes së hakerëve individualë. Rastet e tilla rëndom kërkojnë vite kohë dhe - ndonëse mund të mbartin gjasa të vogla për persekutim - Departamenti i Drejtësisë i konsideron si me peshë të madhe.

Sanksionet mund të kenë edhe më shumë peshë dhe pothuajse sigurt do të rëndojnë mbi supet e Bidenit.

Presidenti Barack Obama kishte dëbuar diplomatë rusë shkaku i ndërhyrjes në zgjedhjet e 2016-s, ndërsa administrata Trump dhe aleatët perëndimorë ndërmorën veprime të ngjashme ndaj Moskës për helmimin e pretenduar të një ish-zyrtari të inteligjencës në Britani.

Ekspozimi i korrupsionit të Kremlinit, përfshirë mënyrën sesi presidenti rus Vladimir Putin e rrit dhe fsheh pasurinë e tij, mund të konsistojë me një hakmarrje edhe më të frikshme.

SHBA-ja mund të kundërpërgjigjet edhe në hapësirën kibernetike, një shteg ky i lehtësuar nga autorizimi i dhënë prej administratës Trump, që veçse ka rezultuar me disa operacione.

Ish-këshilltari për siguri kombëtare, John Bolton, u ka thënë gazetarëve gjatë një konference më 2018 se operacionet kibernetike kundër rivalëve të huaj tanimë do të jenë pjesë e arsenalit amerikan dhe se përgjigja amerikane nuk do të jetë më kryekëput mbrojtëse.

“Mund t’i shkrijmë krejtësisht rrjetet e tyre të brendshme”, ka thënë Jason Healey nga Universiteti i Columbias.

Komanda Kibernetike amerikane ka ndërmarrë gjithashtu masa më proaktive, duke u angazhuar në ato që zyrtarët i përshkruajnë si operacione “të gjahut” që u kanë mundësuar t’i detektojnë kërcënimet kibernetike në vendet e tjera, para se ato të mbërrijnë t’i marrin në shënjestër caqet e destinuara.

Ndërkaq, David Simon, ekspert i sigurisë kibernetike dhe ish-këshilltar i posaçëm i Departamentit të Mbrojtjes, ka thënë se duhet të ketë pasoja për të gjithë përgjegjësit për sulmet e tilla, ndërsa ka akuzuar administratën Trump “për hezitimin që ta mbajë Kremlinin përgjegjës”.

“Përderisa nuk bëhet e qartë se SHBA-ja do të ndërmarrë masa kuptimplota ndaj kundërshtarëve”, ka thënë ai nëpërmjet një e-maili, “ndryshime domethënëse në sjelljen e Kremlinit nuk pritet të shihen”.