Botë

SHBA-ja sanksionon Turqinë sherri i blerjes së sistemit rus të mbrojtjes

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vënë të hënën Turqisë sanksionet e shumëpritura shkaku i blerjes së sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore S-400, duke i ndërlikuar edhe më shumë marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara midis dy aleatëve në NATO.

Turqia i dënoi menjëherë sanksionet, duke i quajtur ato “një gabim i rëndë” dhe duke e nxitur Washingtonin që ta sprapsë “këtë vendim të padrejtë”.

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë gjatë një bisede me gazetarë se blerja e sistemit S-400 nga ana e Ankarasë dhe refuzimi i saj për ta zmbrapsur vendimin kanë lënë SHBA-në pa ndonjë alternativë tjetër.

Sanksionet, të raportuara nga Reutersi gjatë javës së shkuar, kanë marrë në shënjestër trupin kryesor të prokurimit dhe zhvillimit të Industrisë së Mbrojtjes në Turqi, kryetarin e saj Ismail Demir dhe tre nëpunës të tjerë.

Derisa janë të kufizuara vetëm në një kompani, sanksionet megjithëkëtë pritet të peshojnë rëndë mbi ekonominë turke, në kohën kur vendi po përballet me ngadalësim të thellë ekonomik shkaku i pandemisë së koronavirusit, si dhe inflacionit dyshifror.

Ankaraja ka blerë pajisjet ruse të mbrojtjes tokë-ajër në mes të vitit 2019 dhe ka thënë se ato nuk përbëjnë ndonjë kërcënim për aleatët në aleancën ushtarake të NATO-s. Por Washingtoni është kërcënuar kaherë me vendosje të sanksioneve dhe ka larguar Turqinë nga programi i aeroplanëve të saj luftarakë F-35 gjatë vitit të shkuar.

Duke i anashkaluar këshillat e ndihmësve, presidenti amerikan Donald Trump i ka rezistuar vendosjes së penalltive ndaj Turqisë para se ta jepte pak ditë më parë dritën jeshile për to, kanë thënë disa burime të afërta me çështjen.

“Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë të qartë Turqisë, në takimet e niveleve më të larta dhe në disa rrethana, se blerja e sistemit S-400 do ta rrezikonte sigurinë e teknologjisë ushtarake amerikane dhe personelit të saj, si dhe do të ofronte fonde substanciale për sektorin rus të Mbrojtjes”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Duke raportuar para gazetarëve rreth sanksioneve, ndihmëssekretari i Shtetit për Siguri Ndërkombëtare, Christopher Ford, ka thënë se Washingtoni ka kërkuar një zgjidhje për çështjen porse Ankaraja i ka hedhur poshtë të gjitha ofertat.

“Ky nuk është një hap, të cilin e kemi marrë lehtë apo relativisht shpejt”, ka thënë ai.

Masat amerikane, të shpallura nën Aktin amerikan të Sanksioneve (CAATSA) në përfundim të mandatit presidencial të Trumpit rrezikojnë t’i përkeqësojnë marrëdhëniet e Ankarasë edhe me administratën në ardhje të demokratit Joe Biden, i cili do ta marrë detyrën e presidentit amerikan gjatë muajit të ardhshëm.

Pak para shpalljes së vendimit të së hënës presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kishte thënë se retorika amerikane e sanksioneve është shqetësuese.

“Nga SHBA-ja aleate në NATO presim që ta mbështesë betejën tonë kundër organizatave terroriste dhe forcave që kanë plane ndaj rajonit tonë e jo zbatimin e sanksioneve”, ka thënë ai pas një takimi të Kabinetit në Ankara.