Botë

Përvjetori i Marrëveshjes së Daytonit në hije të përplasjeve rajonale

Zgjidhja e kontesteve ndërshtetërore dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian përshpejtohen sa herë që evropianët dhe amerikanët flasin me një zë, është thënë nga panelistët e konferencës virtuale të Këshillit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare (ECFR), “25-vjetori i Daytonit: E ardhmja e Bosnjë-Hercegovinës”. Madje është kërkuar që t’u bëhet më shumë presion liderëve të vendeve të rajonit që t’i çojnë përpara reformat e kërkuara në kuadër të kushteve për integrim në bllokun evropian. Ardhja në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e demokratit Joe Biden, i përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet diplomatike gjatë luftërave pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ka ngjallur shpresën në rajon, por edhe në lidershipin evropian për dinamikë të re të zhvillimeve politike në qoshen e fundit evropiane të mbetur jashtë BE-së.

Shpërbërja e ish-Jugosllavisë befasoi Perëndimin

Carl Bildt, ish-ministër i Jashtëm suedez në fillimvitet nëntëdhjetë, ka thënë se gjatë përvojës së gjatë diplomatike gjatë luftërave në Ballkan, e ka kuptuar se zhvillimet politike të shteteve të rajonit janë të ndërlidhura pashkëputshëm.

“Kjo është arsyeja pse kërkojnë nga ne dhe amerikanët që të ketë zgjidhje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Bildt në konferencën me të cilën u shënua 25-vjetori qëkur ish-kryetari serb, Slobodan Milosheviq, ai kroat, Franjo Tugjman, dhe ai i Bosnjës, Alilja Izetbegoviq, nënshkruan në Paris më 1995 marrëveshjen e ndërmjetësuar nga ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ai francez, Jacque Chirac, kancelari gjerman, Helmut Kohl, kryeministri britanik, Jon Major, dhe homologët e tij, rusi Viktor Chernomerdin dhe spanjolli Filipe Gonzalez.

Më shumë se 100 mijë qytetarë të pafajshëm u vranë derisa lufta e Bosnjës do të prekte ndërgjegjen e botës. Në krye të përpjekjes dhe lidershipit amerikan në negociatat paraprake të mbajtura në Dayton të Ohios në SHBA, ishte diplomati i ndjerë, Richard Holbrooke, që do të njihej pastaj si “Buldozeri i Ballkanit”.

Bildt ka kujtuar se si Perëndimi nuk pati plan të përbashkët veprimi në fillim të viteve nëntëdhjetë kur Slobodan Milosheviqi, të cilit pastaj mediat perëndimore do t’i referoheshin si “Kasapi i Ballkanit”, për t’ia ndalur hovin Serbisë që po nxiste luftëra në Ballkan.

Image

“Ky lloj konflikt ishte i panjohur. Mendoj se nuk kishim njohuri për këso lloj konfliktesh. Mandej ishte folur shumë për shpërbërjen e Jugosllavisë, por askush nuk ishte përqendruar shumë. Amerikanët ishin të zënë me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe me armët bërthamore. Gjermania po merrej me ribashkimin”, ka theksuar ai.

Ish-përfaqësuesi gjerman në negociatat e Daytonit, Wolfgang Ischinger, shef i Konferencës së Sigurisë së Munihut, ka thënë se zhvillimet në Ballkan duhet të trajtohet në tërësi.

“Më lejoni të flas për Brukselin dhe Washingtonin, që po punojnë më mirë. Ne kemi bërë punë të mrekullueshme në Kosovë”, ka kujtuar Ischinger kur është pyetur për mungesën e koordinimit të politikës së Perëndimit kundrejt Ballkanit gjatë administratës së presidentit Donald Trump.

Thirrja për traktat paqeje

“Por përpjekja e viteve të fundit ka qenë krejtësisht e kundërt me BE-në. Ky ishte një mesazh krejt ndryshe”, ka thënë ai, duke kujtuar përplasjet e fundit të administratës së Trumpit dhe BE-së lidhur me pretendimet se një pjesë e administratës amerikane nuk kundërshtonte edhe ndarjen përfundimtare të Kosovës nëse palët do të binin dakord për të. Megjithatë, ai ka thënë se me Bidenin në krye të Shtëpisë së Bardhë prej 20 janarit mund të kthehet fryma e veprimeve të përbashkëta transatlantike për gjashtë shtetet e rajonit që ende nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian.

Baronesha Arminka Heliq, britanikja me prejardhje boshnjake nga Dhoma e Lordëve e Mbretërisë së Bashkuar, mendon se paqja do të çimentohet vetëm nëse Bosnja, Kroacia dhe Serbia nënshkruajnë traktat paqeje, sikurse Gjermania e bashkuar dhe Polonia pas Luftës së Ftohtë.

“Disa liderë të vendeve fqinje ende mendojnë se kufijtë e Bosnjës janë të diskutueshëm. Unë mendoj se kjo është çmenduri”, ka theksuar ajo. “Kur keni një shtëpi, ju nuk ua jepni çelësin fqinjëve nëse ju jetoni brenda saj. Aq më pak kur fqinjët mendojnë si të hyjnë me forcë në shtëpinë tuaj”, ka thënë Heliq, duke analizuar pretendimet e politikanëve nacionalistë të rajonit se Bosnja nuk mund të funksionojë si shtet unik dhe se mund të ndahet nga Kroacia – anëtare e Bashkimit Evropian – dhe Serbia, që aspiron anëtarësimin.

Nacionalizmi, mjet i elitave të korruptuara

Heliq ka thënë se vetëm liderët që prioritet kanë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Bosnjës mund të sjellin ndryshim të qëndrueshëm. Por ka paralajmëruar për pasojat e përgjithshme nga drejtimi i vendit nga liderët nacionalistë e të korruptuar që e përdorin gjuhën e urrejtjes dhe ndarjes për hesape të ngushta politike.

“Paqja ka sfiduar të gjitha pritjet. Mosshkrepja e asnjë plumbi është një arritje e madhe pas spastrimit etnik dhe gjenocidit, por nëse paqja do të shoqërohej me perspektiva, mund ta merrni me mend se sa ndryshe do të ishte”, ka thënë Heliq. “Paqja nuk është e mjaftueshme. Daytoni e ndali luftën, por nuk i ndali të gjitha ndasitë. Bosnja sot jeton në paqe, por ende është në duar të elitës së korruptuar që i mbajnë njerëzit peng të së kaluarës”.

Ajo ka shprehur shpresën se Bideni do të punojë në bashkëpunim më partnerët evropianë për ta mbyllur atë që e ka quajtur “kapitull” të Ballkanit.

Jim O’Brien, emisar i ish-presidentit Bill Clinton për Ballkanin, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta trajtojnë Ballkanin si rajon paskonflikti. Duke u kthyer në kohën kur edhe vetë po dëshmonte si avokat i ri krimet e kryera në Bosnjë, O’Brien ka thënë se administrata e re pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 1992 ishte përqendruar në menaxhimin e pasojave të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik apo çështjes së sigurisë së armëve bërthamore. Në vitin 1995, do të prekej ndërgjegjja perëndimore kur forcat serbe masakruan më shumë se tetë mijë djem dhe burra të pafajshëm myslimanë në Srebrenicë në masakrën më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë. “Më nuk mund t’i hiqnim sytë nga gjenocidi”, ka thënë O’Brien.

Ischinger ndërkohë ka kujtuar qëndrimet krejtësisht të kundërta të Gjermanisë dhe Francës pas pavarësimit të Sllovenisë dhe Gjermanisë. Ai thotë se Gjermania i druante përfshirjes në aksione luftarake në Ballkan për shkak të rolit të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ka treguar se si ish-kancelari Helmut Kohl, i cili i priu ribashkimit të Gjermanisë, druante se përfshirja gjermane në Ballkan do t’ua ngjallte vendasve kujtimet e krimeve të kryera nga ushtria naziste.

Koha për strategji të re

Në dokumentarin e shkurtër, “Zërat e rinisë, 25 vjet pas Daytonit”, të rinj të tri komuniteteve etnike të Bosnjës kanë folur në hapje për zhgënjimet e tyre me liderët vendas. Në të dhënat që janë prezantuar nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare, është bërë e ditur se 74 për qind e të anketuarve janë krenarë që kanë shtetësi boshnjake. 35 për qind mendojnë se krimi i organizuar është shqetësimi kryesor dhe 16 për qind mendojnë se dasitë etnike përbëjnë kërcënim për Bosnjën. Shumica mendojnë se prioritet duhet të jetë sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë.

Bildt ka thënë se nuk përbëjnë kërcënim për kanosjet e Republikës Serbe të Bosnjës për referendum për ndarje, përderisa nuk mbështeten nga Serbia dhe Rusia.

Viola von Cramon, eurodeputete nga të Gjelbërit, ka thënë gjatë seancës së pasdites “Sundimi i ligji si themel për paqe në Ballkanin Perëndimor” ka thënë se moszbatimi i reformës së drejtësisë në Bosnjë nxit pakënaqësi në mesin e boshnjakëve edhe kundrejt Bashkimit Evropian. Ajo ka thënë se lidershipi evropian duhet të shqetësohet me faktin se shumica e boshnjakëve mendojnë se reformat nuk po zbatohen dhe se donacionet evropiane për këtë qëllim po përfundojnë në xhepa të elitave të korruptuara vendase në pushtet. “Strukturat e gabuara marrin para për asgjë”, ka thënë ajo.

E deputetja boshnjake, Sabina Çudiq, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që t’u bëjnë sa më shumë presion liderëve të rajonit për ta ndryshuar gjendjen. Ka ngulmuar se praktika e ka dëshmuar se vetë kështu mund të bëhen ndryshime të mëdha në rajon.

Ischinger ndërkaq ka kërkuar që rajoni të trajtohet si tërësi nga Bashkimi Evropian. Në këtë pikë është pajtuar me O’Brienin, i cili mendon se evropianët tregohen më të butë me liderët e rajonit. Bullgaria bllokoi së fundmi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë në BE, për shkak të kontesteve për gjuhën. Panelistët druajnë se nëse Ballkani Perëndimor nuk trajtohet si “një shportë më e gjerë”, sikur ka theksuar Ischinger, atëherë mund të ketë bllokada të ngjashme nëse integrimi bëhet ndaras. Ai mendon se BE-ja duhet të heqë dorë prej së drejtës së vetos së shteteve anëtare.

“Na duhet një strategji që ndëshkon politikanët që manipulojnë me politikën e identitetit”, ka thënë O’Brien, “dhe për këtë duhet të ketë strategji”.