Botë

Gjysma e francezëve refuzojnë vaksinimin

Franca është në pritje të vaksinës ndaj koronavirusit, por gjysma e francezëve nuk pritet ta marrin vaksinën. Presidenti francez nuk po bën presion për marrjen e kësaj vaksine, për shkak të skandaleve të kaluara që kanë zbehur besimin në shëndetësinë franceze

Paris, 13 dhjetor (Reuters) - Francezi Boris Czajka është me mbipeshë dhe konsiderohet si i rrezikuar nëse vaksinohet kundër koronavirusit. Sido që të jetë gjendja e tij shëndetësore, nuk e ka ndërmend ta marrë vaksinën që në muajt e ardhshëm pritet të arrijë në Francë.

Refuzimi i tij vjen vetëm për shkak të mosbesimit në medikamente. Ka përdorur ilaçe kundër dhimbjeve të artritit, por ka vërejtur se edhe më shpesh i përkeqësohej gjendja. Czajka i ndali ilaçet në muajin shkurt dhe gjendja e tij filloi të përmirësohej.

Ai nuk është i vetëm në refuzimin për vaksinën ndaj COVID-19.

Franca, vendlindja e biologut të njohur, Lui Paster, për parimet mbi vaksinimin, ka shumë refuzues të vaksinës sesa kudo tjetër në botë. Në një sondazh të realizuar në muajin nëntor, thuhet se gjysma e francezëve nuk do të vaksinohen ndaj virusit.

Czajka është i mendimit se kompanitë farmaceutike janë ngutur me zbulimin e vaksinës.

“Na thanë se vaksina do të marrë vite kohë. Por sot, si me magji, kemi një vaksinë për krejt botën, prandaj nuk më bind”.

E ëma, Nula Cheng, u është bashkuar grupeve të rrjeteve sociale që kritikojnë Qeverinë franceze për mënyrën e menaxhimit të krizës së koronavirusit. Këto grupe janë skeptike edhe për vaksinën.

Ajo si shumë francezë thotë se është e hutuar rreth përdorimit të vaksinës.

“Askush nuk e ka parë dhe shumë gjëra e kemi problem t’i kuptojmë. Flasin për pandeminë, por ata që i kam përreth janë shëndosh e mirë”.

Skepticizmi mbarëkombëtar e ka shqetësuar presidentin Emanuel Macron.

Numri i ulët i vaksinimit rrezikon që Franca të jetë e rrezikuar edhe më shumë nga valët e ardhshme të pandemisë dhe mund ta rrezikojë edhe rimëkëmbjen ekonomike të shtetit të dytë më të madh në Evropë.

Mirëpo, Macroni e di se nuk mund t’i bëjë presion një populli që nga e kaluara ka shfaqur mosbesim ndaj shtetit. Njerëzit kanë dyshuar në prodhimet farmaceutike dhe janë të frikësuar nga skandalet e kaluara në shëndetësinë e shtetit.

Mosbesimi i thellë në klasën politike nuk gjendet askund tjetër në shtetet evropiane.

Sipas një sondazhi të realizuar në 15 shtete, thuhet se 54 për qind e francezëve do të pranonin ta merrnin vaksinën. Kjo është një shifër shumë e ulët krahasuar me Italinë që ka 64 për qind të njerëzve që do të vaksinoheshin, 79 për qind të Britanisë dhe 87 për qind të Kinës.

Macroni ka premtuar transparencë në lidhje me vaksinën sapo të jetë e gatshme. Ministria e Shëndetësisë në Francë ka insistuar se Bashkimi Evropian ishte i rreptë në procesin e miratimit dhe nuk do të ngutet në shpërndarjen e vaksinës.

Ekspertët kanë vlerësuar se imuniteti i tufës do të kërkonte së paku 60 deri në 70 për qind të imunitetit të popullsisë me qëllim që të këputet zinxhiri i infeksionit me koronavirus.

Besimi publik në mjekësinë franceze është ulur nga skandalet e kaluara, përfshirë edhe ndaljen e programit të vaksinimit ndaj hepatitit B gjatë vitit 1998 shkaku i shqetësimeve të lidhjes së disa rasteve me skleroza të shumëfishta.