Botë

BE-ja do të diskutojë me NATO-n dhe SHBA-në rreth eksportimit të armëve në Turqi

Diskutimi i paralajmëruar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, u bë pasi Greqia ka insistuar që të zbatohet një embargo e armëve ndaj Ankarasë. Kjo në ditën kur liderët e bllokut janë pajtuar që t’i përgatisin sanksionet e kufizuara ndaj individëve turq, shkaku i përplasjes rreth eksploatimit të energjisë të kontestuar nga Greqia dhe Qiproja. Teksa masa ndëshkuese ndaj vendit të Recep Tayyip Erdoganit ka paralajmëruar shumë shpejt edhe Washingtoni, shkaku i blerjes së sistemit raketor rus S-400

Liderët e Bashkimit Evropian planifikojnë që ta diskutojnë çështjen e eksportimit të armëve për Turqinë me aleatët në NATO dhe Washington, ka thënë të premten kancelarja gjermane, Angela Merkel, pasi Greqia ka insistuar që të zbatohet një embargo e armëve ndaj Ankarasë.

Një gjë të tillë Merkeli e bëri të ditur pas samitit, në të cilin liderët e 27 vendeve evropiane u pajtuan që t’i përgatisin sanksionet e kufizuara ndaj individëve turq shkaku i përplasjes rreth eksploatimit të energjisë të kontestuar nga Greqia dhe Qiproja. Mirëpo udhëheqësit e bllokut kanë shtyrë deri në mars diskutimet lidhur me hapat më të ashpër ndaj vendit anëtar në NATO.

“Kemi folur rreth asaj se si çështja e eksportimit të armëve mund të diskutohet përbrenda NATO-s. Kemi thënë se duam që të koordinohemi me administratën e re amerikane lidhur me Turqinë”, ka thënë Merkel gjatë një konference. Shumë shtete të BE-së janë gjithashtu anëtare të NATO-s.

Komentet e Merkelit e reflektojnë qëndrimin e ashpërsuar ndaj Turqisë të Qeverive evropiane, shumë prej të cilave në të shkuarën u kishin rezistuar thirrjeve për masa ndëshkuese vendit aleat në NATO, kandidat për anëtarësim në BE si dhe nikoqir i sirianëve të ikur nga lufta civile.

Mirëpo, vendet e BE-së kanë shprehur përherë e më shpesh qëndrime kritikuese ndaj përfshirjes së Turqisë në Libi si dhe ndaj blerjes së një sistemi raketor rus.

Lidhur me raketat ruse S-400, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar mundësinë e vendosjes shumë të shpejtë të sanksioneve ndaj vendit të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ministria e Jashtme turke i ka kundërshtuar të premten sanksionet, duke e quajtur masën si qasje “të anshme dhe të paligjshme” të BE-së.

Presidenti turk u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeverive të BE-së që të mos bien nën ndikimin e të atyre që ai i cilësoi si lobe anti-turke, ndërsa duke përdorur tone çuditërisht pajtuese, ka thënë se beson që çështjet mund të gjejnë zgjidhje nëpërmjet dialogut. Ndrërkaq, ministria e Jashtme e vendit i ka kundërshtuar sanksionet e BE-së, duke i quajtur ato si një qasje “të anshme dhe të paligjshme”.

Tensionet kanë shpërthyer shkaku i vendimit të Turqisë për të dërguar anije shpimi në ujërat e Qipros jugore, ku autoriteteve greke të Qipros u kanë dhënë të drejtat për eksploatimin e hidrokarbureve kompanive italiane dhe atyre franceze.

Turqia ka bërë të ditur se operacionet e saja janë përqendruar në kufijtë e saj detar, ku të drejtat i gëzojnë turqit e Qipros. Vendi ka akuzuar po ashtu Greqinë për shmangien e bisedimeve bilaterale lidhur me pretendimet përplasëse detare, ndërsa ka adresuar akuza edhe në llogari të Bashkimit Evropian për anim kah Greqia.

Pajtimi i BE-së dhe paralajmërimi amerikan i masave ndëshkuese ndaj Turqisë ka nxitur menjëherë shqetësime mes investuesve. Masa amerikane, e sinjalizuar të ndodhë shumë më herët sesa që pritej dhe me shkallë potencialisht më të gjerë, ka ndikuar që lira turke të shënojë rënie prej më shumë se 2 për qind. Zhvillimet mund t’i ndërlikojnë relacionet e dy aleateve më të mëdha në NATO, pak kohë para ardhjes së presidentit të zgjedhur Joe Biden në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ndërkaq, BE-ja dhe NATO-ja planifikojnë që të mbajnë një samit të posaçëm me Bidenin, pasi që ai ta marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar.

Gjatë vitit 2018, BE-ja ka eksportuar në Turqi armë e municion me vlerë prej vetëm 45 milionë eurosh, kanë treguar të dhënat e zyrës evropiane për statistika, Eurostat. Por, në anën tjetër, shitja e fluturakeve ushtarake për vendin ka kapur vlerën prej disa miliarda eurosh. SHBA-ja, Italia dhe Spanja ishin eksportueset kryesore të armëve për Turqinë midis viteve 2015-2019, sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI), me seli në Stokholm.

Vendet e bllokut evropian aktualisht e ndalojnë shitjen e armëve për vetëm disa shtete, përfshirë Rusinë, Bjellorusinë, Sirinë dhe Venezuelën.