Botë

Bideni, mundësi e artë për lidershipin e Evropës

Bashkimi Evropian është zotuar të mos e lëshojë rastin e ofruar nga administrata e re amerikane, por ende rruga i pritet prej mungesës së një strategjie të qartë, shkruan revista “Foreign Policy”, në një analizë të gjatë për raportin ndërmjet aleatëve të anëve të ndryshme të Atlantikut

Një ish-zyrtar i Bashkimit Evropian – sigurisht se me dashamirësi e qëllime të sinqerta – i kishte thënë njëherë Bart Szewczykut, profesor i shkencave politike në “Shkencat Po” në Paris, se kishte shumë shprehje e fraza në shkrimet e tij për politikën e jashtme amerikane që duhej të ndryshoheshin. Por shndërrimi i qasjes së politikës së jashtme evropiane më shumë ka qenë çështje slogani se strategjie për qëllime praktike, ka shkruar Szewczyk në shkrimin analitik, “Çfarë mund t’i ofrojë ‘një herë në një gjeneratë’ Evropa Amerikës”, që tani do të drejtohet prej presidentit të zgjedhur demokrat, Joe Biden.

“Debatet e rrejshme”

Ish-anëtari i ekipit planifikues të politikës së jashtme në Departamentin Amerikan të Shtetit merret fillimisht me debatin në të cilin është përfshirë Evropa, lidhur me politikën e saj të jashtme. Debati po përshkohet edhe me përplasje pikëpamjesh. Madje, në këtë argumentim mendimesh të ndryshme janë përfshirë edhe politikanët më të lartë të shteteve anëtare. Ta zëmë, presidenti francez, Emmanuel Macron, mendon se Bashkimi Evropian duhet të hartojë një strategji për autonomi më të madhe sigurie, duke parë përqendrimin e vëmendjes amerikane në aspektin e sigurisë në Azi dhe përplasje tregtare me Kinë. Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrembauer, ka pikëpamje krejt të kundërt. Ajo mendon se Evropa duhet të llogaritë për sigurinë e saj edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë mbi shtatëdhjetë mijë trupa në vendet e ndryshme të Evropës në kuadër të ombrellës mbrojtëse nga kërcënimi i mundshëm rus.

“Bashkimi Evropian ka hedhur poshtë ‘debatet e rrejshme’ ndërmjet transatlanticistëve dhe evropianistëve – të cilët i kanë shtruar dy shtigjet si bashkërisht ekskluzive”, duke vlerësuar se duhet të ketë fuqizimin në dy anët e Atlantikut, ka shkruar Szewczyk, i cili ka punuar edhe si këshilltar i grupit të pavarur të mendimit të Këshillit Evropian.

Koha për ndryshim

Më 10 dhe 11 dhjetor, liderët e Bashkimit Evropian do të takohen në samitin e radhës për të diskutuar, në mesin e shumë gjërave, edhe raportin që do ta kenë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që prej janarit do të qeverisen prej Bidenit. Megjithëkëtë, shumëkush mendon se zgjedhja e Bidenit duhet të shfrytëzohet nga liderët evropianë si mundësi që i jepet vetëm një herë një gjenerate.

Szewczyk, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, shkruan se liderët dhe analistët evropianë po flasin e po hedhin argumente të ndryshme për nevojën e “autonomisë më të madhe” të sigurisë, apo edhe për unionin e mbrojtjes, me qëllim që të krijohet një strategji e mundshme për rolin e Bashkimit Evropian si faktor i mundshëm botëror në zhvillime politike.

“Por nganjëherë, konceptet e tilla më shumë e ngufasin se si i qartësojnë zgjidhjet”, shkruan Szewczyk, duke vlerësuar se fraza për formësim të një strategjie të qartë më shumë janë çështje sloganesh që së pari hidhen e diskutohen në mesin e politikanëve dhe analistëve në media, por pastaj lihen anash.

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian i ka thënë Szewczykut se, sipas fjalëve të tij, NATO-ja merret me mbrojtjen kolektive, derisa Bashkimi Evropian me “mbrojtjen e përbashkët”, pa qenë në gjendje të bëjë dallimin ndërmjet tyre.

“Ushtria evropiane”

Bashkimit Evropian i është përmendur edhe mundësia e krijimit të një ushtrie të përbashkët, por askush nuk kishte ide të qartë se si mund të vepronte ajo, megjithëse vazhdimisht është ngulmuar se nuk mund ta zëvendësojë rolin e NATO-s.

“Ky është një boshllëk jashtëzakonisht befasues, duke pasur parasysh se nuk ka mungesë modelesh, përfshirë traktatin e paratifikuar të vitit 1952 të themelimit të Komunitetit të Mbrojtjes Evropian; ky version megjithatë do të ishte konkurrent i NATO-s”, shkruan Szewczyk në analizën e tij të gjatë. “Qëllimet e spikatura të unionit të mbrojtjes kanë qenë gjithashtu të paqarta: nëse duhet të ngrihen kapacitetet (pikëpamje gjermane), për t’iu shërbyer operacioneve (pikëpamje franceze), ose të gjenerojë kursime. Dobitë efikase u kthyen në argument jashtëzakonisht atraktiv, por bazohej në të dhëna të ndryshme: ndërmjet 25 miliardë dhe 100 miliardë eurove, ose ndërmjet 10 dhe 40 për qind të buxheteve kolektive të mbrojtjes së Evropës”.

Ai tregon se kjo analizë është në një raport të para shtatë vjetëve të Parlamentit Evropian, ku kishte edhe shumë mangësi në raportimin e saktësive. Sovraniteti evropian ishte përmendur më në fund edhe nga ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në adresimin e tij para Bashkimit Evropian më 2018. Ai argumentonte se “situata gjeopolitike ka krijuar orën evropiane: Ka ardhur koha për sovranitetin evropian”.

Junckeri vazhdimisht i ka mëshuar në të tijën se vetëm duke deleguar më shumë kompetenca kombëtare në nivel evropian, më të fuqishme do të bëhen të gjitha shtetet. Edhe Macroni ka bërë thirrje për sovranitet evropian për të garantuar “aftësinë e Evropës për të ekzistuar në botën e sotme për t’i mbrojtur vlerat dhe interesat tona”.

Timoni francez

Parisi ka organizuar linja të qarta të politikës për sigurinë, mbrojtjen, migrimin, çështjet sociale, teknologjinë, kulturën dhe edukimin nën kornizën e sovranitetit evropian. “Dhe Franca, dhe Gjermania e mishëruan atë në një koncept legal në Traktatin e Aachenit, të nënshkruar në janarin e vitit 2019. Megjithatë, përdorimi i tij i përsëritur nuk ka qartësuar çështjet si çfarë është sovraniteti evropian dhe çfarë është përmasa e tij në lidhje me sovranitetin kombëtar. Mbase, edhe më keq se mungesa e përgjigjeve për pyetjet e tilla është se çështjet e tilla themelore asnjëherë nuk janë ngritur dhe analizuar plotësisht”, shkruan Szewczyk në “Foreign Policy Magazine”.

Andaj, ekipit të Bidenit i duhet më shumë se deklarata afirmative të liderëve evropianë për fuqizim të marrëdhënieve transatlantike pas një mandati presidencial me Donald Trumpin, që vinte në dyshim shumicën e mekanizmave të përbashkët evropianë.

“Një veprim i vendosur për të lansuar këtë epokë të re të bashkëpunimit transatlantik do të ishte që Evropa ta shpërblejë Bidenin me Çmimin Charlemange për punën e tij në shërbim të unifikimit evropian”, shkruan ai. “Sikurse Komiteti i ‘Nobelit’ që ishte vizionar për t’ia njohur ish-presidentit Barack Obama premtimin për paqe, Komiteti Charlemagne mund t’i ndihmojë Evropën dhe SHBA-në të shfrytëzojnë këtë mundësi strategjike për ta kthyer në realitet premtimin e partneritetit transatlantik. Për Evropën, rruga drejt suksesit në politikën e jashtme – qoftë kundrejt Pekinit, Moskës, COVID-it, ose ‘Shtetit Islamik’ – kalon nëpërmjet sinergjisë me Shtetet e Bashkuara dhe anasjelltas”.

Image