Botë

“Thjesht ia mbathëm vrap”

Descriptive Text

Pothuajse gjysma e refugjatëve të ikur në Sudan nga Etiopia janë fëmijë të moshave nën 18-vjeçare. Rreth 700 gra janë mes tyre shtatzëna, kanë njoftuar Kombet e Bashkuara. Së paku nëntë prej tyre kanë sjellë foshnjat në jetë në Sudan

Umm Rakouba-Sudan, nëntor (AP) – Foshnja ishte lindur rrugës gjatë ikjes. Kontakti i saj i parë me ujin ishte në një pellg. Tani ajo qan tërë natën në një shtet që nuk është i saji.

E mbështjellë në rroba të huazuara, foshnja është njëra prej refugjatëve më të rinj dhe njëherësh më të brishtë mes më shumë se 40.000 sish që kanë ikur nga ofensiva e Qeverisë etiopiane për mbrojtjen e rajonit Tigray.

Ata kishin nxituar vrap në Sudan, të shpeshtën nën kërcënimin e të shtënave, e nganjëherë aq shpejt saqë kishin lënë prapa vetes anëtarët e familjes. Në këtë zonë të largët nuk ka ushqim të mjaftueshëm për t’i mbajtur ata ngopur dhe fare pak strehim. Andaj, disa prej tyre pijnë ujë nga lumi që i ndan shtetet dhe përherë e më shumë njerëz e kalojnë atë nga dita në ditë.

“Kemi ecur nëpër shkretëtirë. Kemi fjetur në shkretëtirë”, ka thënë refugjatja Blaines Alfao Eileen, e cila është tetë muajsh shtatzënë dhe është miqësuar me Lemlem Haylo Radan, nënën e foshnjës së porsalindur.

Njëra është tigrayana etnike, ndërsa tjetra amhara. Konflikti mund t’i ketë kthyer ato kundër njëra-tjetrës, por amësia hyri në mes të kësaj.

Ëmësia dhe tragjedia.

“Luftë ndërshtetërore”

“Nuk e di se ku ndodhet bashkëshorti im dhe nëse ai është fare gjallë”, ka thënë Eileen.

Rrugëtimi i saj ishte katërditor. “Kam fjetur në këtë shall që po e mbaj në dorë dhe do të zgjohesha dhe të bija sërish njësoj për gjumë”, ka shtuar ajo.

Pothuajse gjysma e refugjatëve janë fëmijë të moshave nën 18-vjeçare. Rreth 700 gra janë mes tyre shtatzëna, kanë njoftuar Kombet e Bashkuara. Së paku nëntë prej tyre kanë sjellë foshnjat në jetë në Sudan.

Janë bërë tri javë qëkur kryeministri etiopian, Abiy Ahmed, i dërgoi trupat federale në Tigray, pasi i akuzoi forcat e rajonit për sulmin ndaj një baze ushtarake. Qeveria e Abiyit dhe ajo rajonale e shohin njëra-tjetrën si jolegjitime, teksa kryeministri i shpërblyer me çmimin “Nobel” të paqes ka paralajmëruar gjatë fundjavës së sulmi përfundimtar për marrjen e kryeqytetit të Tigrayit është i pashmangshëm.

Në gjithë këtë mes civilët janë zënë midis asaj që disa ekspertë e përshkruajnë si konflikt të ngjashëm me luftën ndërshtetërore.

E ironia e gjithë kësaj është se shumë persona as që e dinë saktë pse janë dashur që të iknin. Tani, njerëz të të gjitha shtresave, prej bankierëve deri tek bujqit, i kanë kaluar tri javët e fundit në të ashtuquajturat qendra transiti, në pritje të tendave të improvizuara midis një rrethine me thatësi dhe pa pothuajse asnjë dru, fare pranë kufirit me Sudanin.

Disa prej refugjatëve kishin fare pak mundësi për t’u mbrojtur nga vapa dhe dielli dhe e vazhduan rrugëtimin nën strehimin e mbulojave të holla, të ngjashme me ombrellat.

Burrat kishin nisur që të thurnin barin e tharë në shtëpitë e përkohshme.

Pandemia e COVID-19 mund të jetë duke kaluar midis turmës, por njerëzit janë të përqendruar gjetkë. Shumica më shumë bartin kryqe përreth qafës sesa maska në fytyrë.

Fshatarët lokalë sudanezë janë lavdëruar për zemërgjerësinë e tyre, por ata kanë fare pak për të dhënë. Kampet e përhershme për refugjatë janë rreth disa orë vozitjeje me veturë larg dhe nganjëherë nuk ka as mjaftueshëm karburant për transportimin e tyre deri aty. Kërcënimi nga shpërthimi i armiqësive mbetet i pranishëm, teksa ata presin aq afër kufirit.

Disa punëtorë të stërlodhur të shërbimeve humanitare kanë shfrytëzuar katin përdhes të një ndërtese lokale si spital të improvizuar, për trajtimin e plagëve që refugjatët pretendojnë t’u jenë shkaktuar nga hanxharët kur tensionet kaherë ekzistuese në Etiopi shpërthyen sërish.

Mizori pas mizorie

Autoritetet janë duke u përpjekur që t’i mbajnë të veçuar refugjatët tigrayanë prej atyre etnikë amhara, krejt kjo nga shqetësimi rreth përleshjeve të mundshme.

“Nuk e dimë se kush na lufton. Nuk e dimë kush është me ne dhe kush nuk është me ne. Nuk e dimë. Kur lufta shpërtheu, ne thjesht ikëm”, ka thënë Aret Abraham.

Pak ka gjasa për gjetjen e një lloj rehatie apo edhe një shujte të nxehtë. Refugjatët presin edhe nga disa orë rresht për vetëm pak ushqim. Nganjëherë mbesin fare pa të.

“Jam tash e 14 ditë këtu dhe nuk kam marrë gjë”, ka thënë njëri prej tyre. “Nuk kam rroba për të veshur”.

Por të gjithë e bartin një byzylyk të ri prej plastike për refugjatët, të cilët u janë dhënë nga OKB-ja që në momentin e parë të regjistrimit.

Agjencia e OKB-së për refugjatë ka ofruar ushqim dhe përkujdesje për rreth 300 fëmijë dhe gra shtatzëna të kequshqyera etiopiane, si dhe për një qendër mjekësore në Sudan, ka bërë të ditur zëdhënësi Barbar Bolach.

Njerëzit rrinë dhe presin e presin. Një vajzë e vogël, e zemëruar, ia rrotulloi kokën një kukulle plastike derisa nuk e këputi atë tërësisht. Një burrë e nxori krahun nga vendi teksa po e mbante në dorë një fotografi të vogël të të birit të tij 12-vjeçar. Djaloshi ishte qëlluar me fishek në kokë, ka thënë ai.

Kampet më të përhershme janë përdorur për të fundit herë në vitet ‘80 për etiopianët që i ikën urisë së përkeqësuar nga lufta civile njëvjeçare.

Për një kohë të gjatë këto pamje të njerëzve të uritur kishin njollosur keqas reputacionin e Etiopisë. U deshën dekada për ta shndërruar vendin në njërin prej rrëfimeve më të mëdha suksesi në Afrikë që tani ka njërën prej ekonomive me ngritjen më të shpejtë në botë. Por prapa këtij peizazhi represioni politik ka ushqyer armiqësitë midis grupeve etnike.

“Dukej sikur ia kishim dalë dhe ishim të lumtur”, ka kujtuar Menas Hgoos, i cili tani ka ikur për të dytën herë në Sudan. “Dhe tani Abiy Ahmed është duke na sulmuar, e ne thjesht kemi ikur duke marrë me vete vetëm rrobat në çantat tona”.

Shumë prej refugjatëve janë tepër të rinj për të kujtuar mizoritë e së shkuarës. Ata tani, krejt papritur, ndodhen të ngarkuar me mizoritë e kohës së tyre dhe me brengat për ata që nuk ia kanë dalë që të ikin gjithashtu.

“Ka tepër shumë njerëz që jetojnë aty dhe nuk kanë mundur që të ikin”, ka thënë Haftoun Berha, duke ndaluar për një çast për të menduar për më të dashurit e tij, të cilët tani e ka të pamundur që t’i kontaktojë. “Kjo është akoma më e trishtë”.