Botë

Pavarësia e Skocisë po fiton terren

Boris Johnsoni u zgjodh kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar në korrikun e vitit të kaluar. Prej atëherë, ai ka lansuar katër nisma të ndarë me qëllim që të shpëtojë Mbretërinë nga kërcënimi i nacionalizmit skocez. E fundit prej tyre, e lansuar më 18 nëntor, synon të merret me ngritjen e shoqërore dhe kulturore me qëllim që të shpëtohet Unioni pas një “serie hapash të gabuar” të liderit konservativ, ka shkruar “Financial Times”.

“Katastrofa parlamentare”

Më 16 nëntor, Johnsoni raportohet t’u ketë thënë një grupi deputetësh të Partisë Konservative se transferimi i hises të kompetencave legjislative Skocisë më 1999 nga Londra ka qenë “katastrofë në veri të kufirit”. Ai sigurisht se nuk e kishte fjalën për një audiencë skoceze: Dy dekada pas krijimit, Parlamenti skocez mbetet popullor në mesin e votuesve skocezë.

“Por duket se përpjekjet e kryeministrit kanë shkaktuar kundërefekt. Lidershipi i Johnsoni është faktor i rëndësishëm pse votuesit e pavendosur në Skoci po anojnë kah pavarësia, ka treguar një anketim i kryer nga JL Partners dhe i cituar nga ‘Politico Europe’”, ka shkruar revista politike amerikane, “Foreign Policy”, duke iu referuar të dhënave të matjeve të opinionit të kryera në shtator.

“Kërcënimi i vetëm më i madh i Mbretërisë së Bashkuar është kryeministri, sa herë që e çel gojën”, ka deklaruar lideri laburist, sir Keir Starmer, para syve të Johnsonit në Dhomën e Komunave në fillim të këtij muaji.

Vlerësimi i Starmerit mund të jetë plotësisht i drejtë dhe i qëndrueshëm, vlerësohet në analizë. Për herë të parë në historinë moderne britanike, anketimet kanë treguar se shumica e skocezëve janë në favor të daljes nga Mbretëria e Bashkuar. Partia Kombëtare Skoceze (SNP), njëherësh duket se do të shënojë fitore bindëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të majit – një rezultat që do të rriste gjasën për një tjetër referendum për shkëputje nga Britania e Madhe. Gjatë fundjavës, anëtarët e SNP-së do të takohen nëpërmjet video-lidhjeve në konferencën e përvitshme. Të bindur se Johnsoni është kthyer në një mekanizëm të rëndësishëm për kauzën e tyre.

Krizë besimi

Johnsoni do të dyfishojë përpjekjet për mbrojtjen e Unionit në muajt e ardhshëm, me afrimin e zgjedhjeve vendimtare parlamentare në Skoci. Ai me gjasë do të theksojë fort dobitë ekonomike nga Mbretëria e Bashkuar dhe sigurisht se do të sulmojë mënyrën e qeverisjes së Skocisë nga SNP-ja. Por pakkush beson se strategjia e tij e ardhshme anti-nacionaliste do të jetë më efikase – ose më pak kundërproduktive – sesa e kaluara.

Me ngritjen e kritikave nga kundërvënies së Johnsonit ndaj pandemisë së koronavirusit, efekti shkatërrimtar i virusit ka luajtur rol kyç në davaritjen e unitetit anglo-skocez. Britania e Madhe ka një prej shkallëve më të lartë të vdekjeve nga COVID në botë, thonë kritikët e administratës së tanishme britanike. Johnsoni u kritikua se u vonua me marrjen e masave të mbylljes në muajin mars, duke ndjekur një strategji që më vonë u kontestua nga politika dhe shkencëtarët. Duhet theksuar në mënyrë të veçantë mbështetja për pavarësinë skoceze që ka nisur të marrë terren të madh gjatë dhjetë muajve të pandemisë.

E kundërta e Johnsonit

Skocia ka ndjekur me të madhe lidershipin e Londrës në përpjekjen për të frenuar krizën shëndetësore dhe krahasuar mbi kokë banori, shkalla e vdekshmërisë nga pandemia është larg më e ulët se ajo në Angli. Megjithatë, liderja e SNP-së, Nicola Stugeon – e cila drejton qeverinë gjysmautonome të SKocisë në Edinburg dhe ka juridiksion mbi sistemin skocez të shëndetësisë dhe politikëbërjes – ka përfituar politikisht prej keqmenaxhimit të kryeministrit britanik të pandemisë.

“Johnsoni ka karizmën për paraqitje, por është komunikues i dobët”, ka deklaruar shkrimtari dhe gazetari britanik, Anthony Barrett. “Sturgeon është e kundërta: Personifikon natyrën modeste, serioze, të ndarë të lëvizjes së pavarësisë”.

Ky kontrast reflektohet në perceptimet skoceze të dy liderëve: 74 për qind e skocezëve mendojnë se Sturgeon, e zonja për komunikim me mediat, e ka menaxhuar mirë krizën e COVID-it, ka treguar rezultati i një anketimit të kryer nga BBC-ja në mesnëntor. Ndërkaq pikëpamje të ngjashme për Johnsonin kanë vetëm 19 për qind e britanikëve. Acarimi i skocezëve në raport me Johnsonin daton para kohës së pandemisë, megjithatë ajo vetëm sa ka thelluar ndasitë. Konservativët nuk kanë fituar zgjedhje të përgjithshme në Skoci prej viteve pesëdhjetë dhe përkushtimi i partisë ndaj Brexitit, të cilin skocezët e refuzuan theksueshëm më 2016, sugjeron se ky boshllëk do të thellohet edhe më shumë në të ardhmen e afërt.

“Thatcher plus”

James MItchell, profesor i politikës publike në Universitetin e Edinburgut, mendon se qasja e Johnsonit dhe pikëpamjet anglo-centrike ka acaruar skocezët, duke e konsideruar Johnsonin si politikanin më polarizues në Skoci pas kohës së Margaret Thatcherit. “Ai është Thatcher plus”, ka thënë Mitchell. “Ai nuk e kupton Skocinë. Ai nuk përpiqet të përfshihet me Skocinë”.

Pas një dekade të sundimit të Partisë Konservative, krizave të dyfishta të COVID-it dhe Brexitit, dyfishuar me kryetarinë e sfiduar qeveritare, vetëm sa u kanë dhënë shtytje thirrjeve për pavarësi skoceze. Dhe si asnjëherë tjetër në historinë 313-vjeçare të Unionit anglo-skocez, po spikatet prospekti i ndarjes së Skocisë.

“Deri para pak kohësh, SHBA-ja duket si demokracia më jofunksionale dhe më e ndarë e Perëndimit”, ka shkruar ish-kryeministri laburist, Gordon Brown, skocez dhe kundërshtar i vendosur i SNP-së, në “New Statesman” në 19 nëntor. “Tani, ata në anën tjetër të Atlantikut do të justifikohen pse e kanë drejtuar gishtin kah ne”. Aktivistët e fushatës nacionaliste padyshim se do të pajtoheshin me këtë qasje.