Botë

Në Shri Lankë tetë të vdekur e 50 të lënduar pas trazirave në një burg

Së paku tetë persona kanë vdekur e më tepër se 50 janë lënduar në përleshje mes të burgosurve e gardianëve në një burg në Shri Lankë, kanë njoftuar autoritetet të hënën, raporton agjencia Reuters.

Autoritetet janë munduar të shtypin një protestë për shkak të rritjes së numrit të infektuar në burgje.

Shri Lanka ka parë një rritje të numrit të rasteve me koronavirus në muajin e fundit dhe burgjet e stërngarkuara në këtë vend kanë raportuar mijëra raste të reja të infeksionit.

Të burgosurit kanë protestuar në javët e fundit duke kërkuar rritje të testimeve dhe po ashtu vende izolimi për të burgosurit e infektuar.

Përplasja e fundit mes të burgosurve dhe gardianëve ka ndodhur në burgun Mahara në periferi të kryeqendrës Colombo, duke filluar nga dita e diele.

“Nuk mund ta themi sigurt, por shumica e vdekjeve dhe lëndimeve duket se janë shkaktuar nga plagët me armë”, ka thënë Ajith Rohana, zyrtar i lartë policor që po merret me rastin.

Qindra policë shtesë janë shtuar për të ndihmuar gardianët dhe forcuar sigurinë në burg.,

“Shumica e të burgosurve që janë lënduar në burgun në Mahar janë në gjendje kritike”, ka thënë Shelton Perera, drejtor i spitalit Ragama ku janë transferuar të burgosurit e plagosur.