Botë

Evropën e pret dimër i vështirë pandemie

Foto: Reuters / ilustrim

Gjashtë muaj “të vështirë” po vijnë për Evropën, që është përsëri epiqendra e pandemisë së koronavirusit, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Hans Kluge, drejtor i OBSH-së në Evropë, ka thënë se kontinenti ka regjistruar më shumë se 29 mijë vdekje të reja javën e kaluar nga Covid-19.

Sidoqoftë, ai ka thënë se rastet e reja po shtoheshin pasi izolimi ndikoi që të ndaloheshin infektimet. Dhe në një mbledhje virtuale të enjten, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se blloku mund t’i miratojë dy vaksina kah fundi i vitit.

Shumica e shteteve evropiane ripublikuan masa të ashpra për ta ndaluar shpërndarjen e sëmundjes, sapo vala e dytë e pandemisë filloi në tetor.

Deri më tani, Evropa ka 15,738.179 raste të të infektuarve dhe 354,154 vdekje për shkak të koronavirusit, ku vetëm kontinentet amerikane kanë raportuar shifrat më të larta nëpër tërë rajonin, sipas të dhënave të OBSH-së, raporton KOHA. 

Një pjesë e madhe e këtyre të infektuarve dhe vdekjeve është regjistruar në Britaninë e Madhe, Rusi, Francë, Spanjë, Itali dhe Gjermani. Në Evropë, Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të madh të të vdekurve - 53,870, kurse Franca ka numrin më të lartë të rasteve - 2,115.717.

Çfarë ka thënë dr. Kluge?

Ai ka thënë se Evropa ka 28 për qind të rasteve globale dhe 26 për qind të vdekjeve.

Ai është shprehur i shqetësuar veçanërisht për situatën në Zvicër dhe Francë, ku njësitë e kujdesit intensiv kishin të mbushura 95 për qind të kapacitetit të tyre.

“Evropa edhe një herë është epiqendra e pandemisë, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Kluge në një konferencë për media në Kopenhagë, Danimarkë, duke shtuar se shifrat e fundit kanë treguar se “çdo 17 sekonda është duke vdekur një person”.

“Ka dritë në fund të tunelit, por do të jenë gjashtë muaj të vështirë”, ka thënë ai, duke iu referuar zhvillimeve të vaksinës.

Zhvillimi i vaksinave, që e trajnojnë sistemin imunitar për ta luftuar virusin, i kanë shtuar shpresat për ta marrë nën kontroll pandeminë.

Katër vaksina – “Oxford”, “Pfizer-BioNTech”, “Sputnik” dhe “Moderna” – kanë raportuar të dhëna të mira përfundimtare.

Çfarë ndodhi në mbledhjen e Bashkimit Evropian?

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë diskutuar reagimin ndaj pandemisë në një mbledhje virtuale të enjten.

Ursula von der Leyen ka thënë se Agjencia Mjekësore Evropiane ka mundur të japë “autorizim të kushtëzuar të marketingut” për vaksinat nga “Moderna” dhe “Pfizer-BioNTech” sa më shpejt deri në gjysmën e dytë të dhjetorit nëse çdo gjë shkon mirë”.

Ne do të vazhdojmë t’i koordinojmë përpjekjet tona për t’i mbajtur qytetarët të informuar për vaksinimin”, ka shtuar ajo.

Liderët evropianë kanë dalë më një buxhet të Bashkimit Evropian prej 1.8 bilionë dollarësh deri më 2027, përfshirë një fond për rikuperim të koronavirusit prej 750 miliardë eurosh.

Por Hungaria dhe Polonia e kanë bllokuar miratimin e buxhetit, me shkakun se e kushtëzon buxhetin sipas sundimit të ligjit në bllok.

Ndërkohë, studiuesit në Britaninë e Madhe dhe në Holandë kanë thënë se një ilaç për ta trajtuar artitisin reumatoid – tokilizumab – del se mund t’i trajtojë njerëzit që janë të sëmurë kritikë me Covid-19, raporton KOHA. 

Zbulimet janë rezultate nga të dhënat e hershme nga një testim që është përqendruar te shumica e pacientëve të sëmurë rëndë – disa ekspertë kanë thënë se duhet të jemi të kujdesshëm derisa të publikohen të dhënat e plota.

Kluge ka thënë se përparimi i arritur së fundmi për vaksinat ishte premtues, por ende nuk është “zgjidhje magjike” për shkak se “e dimë se sasitë do të jenë të kufizuara sidomos në fillim”.

Gjatë kësaj kohe, distanca sociale dhe bartja e maskës vazhdojnë të jenë mënyrat më të mira për ta ndaluar shpërndarjen e virusit, ka thënë ai. “Izolimet duhet të shmangen, vazhdoj ta mbaj qëndrimin tim se izolimi është masa e fundit që duhet të merret”, ka thënë Kluge. “Bartja e maskës është ilaç për gjithçka dhe duhet t’ia shtojmë edhe disa masa të tjera. Sidoqoftë, nëse maskat do të përdoreshin për 95 për qind, nuk do të kishte nevojë për izolim”.

Çfarë ndodhi nëpër secilin shtet?

Franca është në izolimin e dytë kombëtar, ku njerëzit lejohen të dalin nga shtëpia për të punuar apo për të shkuar në shkollë, për të blerë gjëra themelore, për të kërkuar ndihmë mjekësore apo për të bërë ushtrime një orë në ditë.

Kushdo që del jashtë duhet ta ketë një leje të shkruar, me të cilën dëshmojnë se çfarë do të bëjnë.

Ministri francez i Shëndetësisë, Oliver Veran, ka thënë se përderisa shumë shpejt i liruan masat, virusi nuk ishte duke qarkulluar aq gjerësisht sa ishte duke qarkulluar para se masat e fundit të ishin publikuar.

Ai ka thënë në një konferencë për media se ankthi dhe pasiguria të shkaktuar nga pandemia po ndikojnë në shëndetin mendor të popullsisë, por “nuk duhet t’i ulim përpjekjet tona”.

Në Itali, ku vdekjet e lidhura me Covid tashmë janë më shumë se të dyfishuara në nëntor, krahasuar me tetorin, kryeministri Giuseppe Conte ka paralajmëruar se Krishtlindjet do të duken më ndryshe këtë vit.

“Ndejat e mëdha, puthjet dhe përqafimet nuk do të jenë të mundshme, kjo do të thotë se një rritje e papritur e frenimit të infektimit në janar”, ka thënë ai, duke shtuar: “Shpresojmë se ende mund të shkëmbejmë dhurata me njëri-tjetrin”.

Shkencëtarët që e këshillojnë qeverinë britanike i kanë shtuar shqetësimet e ngjashme, duke paralajmëruar se nëse bashkohemi në shtëpi për Krishtlindje kjo mund të shkaktojë “rreziqe thelbësore”, veçanërisht për të moshuarit që janë më të ndjeshëm ndaj koronavirusit.

Edhe një herë janë regjistruar 22,195 raste të enjten në Mbretërinë e Bashkuar dhe 501 vdekje brenda 28 ditësh, sipas të dhënave të qeverisë.

Rusia gjithashtu është duke regjistruar më shumë se 20 mijë raste çdo ditë. Autoritetet e kryeqytetit i kanë hapur pesë spitale të improvizuara për ta ndihmuar vendin për t’u përballur me këtë sëmundje.