Botë

Portugalia zgjeron mbylljen në më shumë zona

Foto: Reuters

Portugalia të enjten ka deklaruar zgjatjen e kufizimit gjatë natës dhe izolimit gjatë fundjavës në më shumë se 77 zona.

“Situata është më serioze dhe kritike sesa kishim përjetuar gjatë valës së parë të pandemisë”, ka thënë kryemisnitri Antonio Costa.

Banorëve të zonave të prekura po u kërkohet të mos dalin nga shtëpia, përveç për punë, shkollë ose dyqan gjatë javës dhe se nga ora 23:00 deri në 05:00 duhet të qëndrojnë të mbyllur, raporton Reuters.

Në fundjavë, izolimi do të jetë nga ora 13:00 deri në 05:00, ku dyqanet dhe restorantet do të mbyllen, përveç furrave të bukës, barnatoreve dhe dyqaneve të perimeve.

Restorantet do të kenë të drejtë të aplikojnë për kompenzim me 20 për qind për t’u rimburësuar për humbjet që do pësojnë në dy fundjavat e ardhshme, ka deklaruar Costa.

Çdo komunë me më shumë se 240 raste për 100 mijë banorë gjatë dy javëve duhet të ndjekin rregullat e reja.

Gjendja emergjente e shpallur të hënën dhe që parashihet të zgjasë deri më 23 nëntor, po ashtu mund të shtyhet për më gjatë.