Botë

Gjermania, e izoluar deri në dhjetor

Foto: Reuters

Ministria e Shëndetësisë pret që masat për mbrojtje nga koronavirusi do të vazhdojnë gjatë tërë dimrit, kurse jeta nuk do t’i kthehet normalitetit në dhjetor ose në janar.

Gjermania vetëm të enjten ka konfirmuar 21 mijë raste të reja, ndërsa numri total ka arritur në 727 mijë. Më shumë se 11 mijë persona kanë vdekur që prej fillimit të pandemisë në Gjermani. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe liderët e shteteve gjermane pritet të takohen të hënën për të analizuar nëse izolimi i 2 nëntorit ka qenë i mjaftueshëm për ta ndalur ngritjen e madhe të rasteve.

Kancelarja ka thënë se vaksina potenciale ka dhënë shpresë, por ka paralajmëruar se do të marrë kohë. Ndryshe prej izolimit të fillimvitit, Gjermania tani ka mbajtur të hapura shkollat me qëllim që prindërit të mund të punojnë për të dëmtuar më pak ekonominë, ani pse së paku 300 mijë nxënës dhe 40 mijë mësues janë në karantinë.

Ndërkaq mediat në Ukrainë kanë raportuar se lideri i vendit, Volodymir Zelenski, është shtrirë në spital dy ditë pasi doli pozitiv në testin për koronavirus. Më parë, gjatë verës, edhe gruaja e tij kishte qëndruar disa javë në spital si pasojë e problemeve shëndetësore të shkaktuara nga COVID-19.