Botë

Spitalet në Itali po arrijnë në pikën kritike nga vala e dytë e koronavirusit

Descriptive Text

Mjeku Luca Cabrini ishte i sigurt se spitali i tij në zemër të Lombardisë do të arrinte pikën e thyerjes duke u kujdesur për 300 pacientë me COVID-19. Por, deri më tash, pacientët e infektuar me koronavirus zënë 500 shtretër dhe numri po rritet.

Italia, që ka shokuar botën dhe veten kur spitalet në veriun e pasur të shtetit u stërngarkuan me raste me koronavirus në pranverë, sërish po përballet me krizë sistematike, ndërsa shifrat e konfirmuara me koronavirus në Itali kanë kaluar atë 1 milion.

“Jemi shumë afër për t’u bllokuar. Nuk e di se kurrë do të arrijmë limitin, por ajo ditë nuk është larg”, ka thënë Cabrini, që drejton repartin e intensives në spitalin “Circolo” në Varese, më i madhi në provincën me rreth 1 milion banorë në veriperëndim të Milanos.

Spitali ka zgjeruar kapacitetin në repartin e kujdesit intensiv nga 20 në 45 shtretër, gjatë pikut të valës së parë të pandemisë në Itali në pranverë. Ka pasur 38 pacientë në këtë repart fundjavën e kaluar, dhe Cabrini po përgatitet të vendosë shtretër edhe në sallën e operimit këtë javë, “diçka që do të preferonim të evitonim”.

Sado e rëndë që është situata në kujdesin intensiv në Itali, nuk është kjo që po i shqetëson më së tepërmi mjekët gjatë valës së dytë të pandemisë në vjeshtë. Janë repartet nën-intensive dhe ato të sëmundje infektive që janë caktuar për pacientë të sëmurë më lehtë, që shpesh janë të ri dhe nganjëherë kërkojnë periudhë më të gjatë për të marrë veten.

Federata Italiane e Mjekëve ka bërë thirrje këtë javë për një mbyllje nacionale për të parandaluar kolapsin e sistemit mjekësor. Qeveria po përballet me kritika më të ashpra sesa në pranverë, kur kriza shëndetësorë u përcoll me solidaritet të madh.

Deri të mërkurën, 52 për qind e shtretërve në spitale në Itali ishin të zënë nga pacientë me COVID-19, që është sipër pragut 40 për qind të caktuar nga Ministria e Shëndetësisë. Nëntë nga 21 rajonet e Italisë dhe provincat autonome janë tashmë në zonën e kuqe, sipër 50 për qindëshit, ndërsa Lombardia është në 75 për qind, Piedmonti në 92 për qind e Tiroli Jugor në 99 për qind.

Lombardia, rajoni më i populluar dhe produktiv në Itali, sërish është epiqendër e pandemisë në Itali, pas valës së re në Spanjë, Francë dhe shumicën e Evropës, ku i ka vënë spitalet në ngarkesë të madhe.

Spitalet rajonale janë duke reaguar duke riorganizuar repartet për të evituar mbyllje të kujdesit të zakonshëm, siç kishte ndodhur gjatë valës së parë vdekjeprurëse të koronavirusit në Itali. Prapë, spitalet në Lombardi dhe në Piedmontin fqinj, ka mbyllur gjitha repartet pediatrike e kirurgjikale, për të ofruar vend për pacientët me COVID.

Veneto, ende në një zonë të verdhë që është me rrezik më të ulët, po përgatitet të ndalojë nga kjo javë ofrimin e procedurave që nuk janë urgjente.

“Ne duhet të vazhdojmë të ofrojmë së paku një shërbim minimal për të gjitha patologjitë tjera. Nëse mbyllim sallën e emergjencës, nënkupton se 1 milion banor do të jenë pa kujdes urgjent. Nuk mund të lejojmë të ndodhë kjo”, ka deklaruar Cabrini.

Mjekët vlerësojnë për të ardhur keq që nuk janë mbajtur masa më të ashpra këtë verë, kur numri i të infektuarve ra. Në vend se të bënin këtë, italianët nisën të dilnin në plazhe, duke bërë gati skenën për një valë të re në vjeshtë.

Kufizimet, si ndalesa e lëvizjes, do të mund të parandalonte këtë përhapje të madhe, thotë Filippo Anelli, kryetar i Federatës Italiane të Mjekëve.

Por, Qeveria priti shumë për të vendosur masa të reja.

Situata ka qenë e komplikuar me faktin se mbyllja e pjesshme e vendosur në pesë rajone të Italisë, lejon më tepër liri sesa gjatë mbylljes gati totale të Italisë për dhjetë javë nga marsi deri në maj.

Spitali “Circolo” në Varese, tashmë ka dërguar pacientët që janë në gjendje më pak të rënduar, në dy spitale më të vogla të asaj zone.

Cabrini i ka bërë thirrje autoriteteve rajonale të gjenden shtretër diku tjetër për pacientët që nuk janë me koronavirus, në mënyrë që ata të marrin tretman mjekësor.

“Ka ende njerëz që nuk besojnë se vala e dytë ka ardhur. Por, shoh një lum me njerëz që vijnë në dhomën e emergjencës. Nëse nuk e përmbysim këtë, dhe nëse njerëzit nuk mund të marrin tretman jo vetëm në Varese, por as në Torino apo Milano, atëherë jemi të mbështetur për muri”, ka deklaruar Cabrini.