Botë

Trumpi me një fushatë të ngjeshur dyditore po synon ta përmbysë disavantazhin

Descriptive Text

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nisur një fushatë të fundit dyditore në shtetet ku po parashihet të jetë rezultati i ngushtë në zgjedhjet e së martës, në tentim për ta mposhtur rivalin Demokrat, Joe Biden dhe ta fituar edhe një mandat si president i SHBA-së, shkruan agjencia Reuters.

Në sondazhe Trumpi po shihet në disavantazh, por ai po bën ndalje në shtetet që do të jenë vendimtare në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 3 nëntor. Ai po shpreson ta fitojë edhe një mandat, por mund të bëhet presidenti i parë që nga George W. Bush në vitin 1992 që ka dështuar ta fitojë mandatin e dytë.

Rivali i Trumpit, Biden, që e ka bërë temë qendrore të kampanjës së tij menaxhimin e pandemisë nga Trumpi, do të jetë në tubim në Pennsylvania sot, një shtet që mund ta vendosë fituesin e zgjedhjeve.

Të dielën dhe të hënën, Trump do të organizojë dhjetë tubime – pesë në ditë – duke e bërë përpjekjen e fundit për të siguruar mandatin e dytë. Republikani po shpreson që sa më shumë përkrahës të tij të dalin në ditën e zgjedhjeve të martën.

Të dielën, Trumpi do të mbajë tubime në Michigan, Iowa, North Carolina, Georgia e Florida. Të hënën ka të parapara ngjarje në North Carolina, Pennsylvania, Wisconsin dhe dy në Michigan.

Ai do ta mbyllë fushatën me një tubim të vonshëm të hënën në Grand Rapids në Michigan, lokacionin e njëjtë ku e mbaroi fushatën edhe në vitin 2016. Në fitoren e tij në vitin 2016, ai siguroi shtetet si Michigan, Pennsylvania dhe Wisconsin, tri shtete që me dekada i kishin takuar Demokratëve.

Trump është përpjekur ta ulë numrin e lartë të infektuarve dhe të vdekurve nga COVID-19 në SHBA. SHBA-ja ka regjistruar mbi 9 milionë raste infeksioni me koronavirus dhe afro 230 mijë persona kanë vdekur.

Ai ka thënë se virusin po e përdorin kundërshtarët e tij kundër tij. Ai ka paralajmëruar se nëse Joe Biden zgjidhet president atëherë SHBA-ja do të shkojë në një mbyllje të dytë, të cilën nuk mund ta përballojë.

Në tubimin në Newtown të Pennsylvanias, Trump duket se është ankuar për garën e ngushtë me Bidenin, të cilin e ka quajtur kundërshtar të dobët.

“Kjo mund të më ndodh vetëm mua. Si mund të jetë e nivelizuar kjo?” – ka thënë Trump.

Sondazhet e shohin Bidenin në epërsi të qartë, por në anketat shtet pas shteti, në shtetet kyçe gara është shumë e ngushtë.

Për ta fituar edhe një mandat Trumpi duhet t’i fitojë shtetet që i fitoi në vitin 2016, si Florida, Georgia, North Carolina, Ohio, Iowa dhe rizona dhe të fitojë së paku në një nga shtetet e Midwestit të cilat i mori në vitin 2016, si Pennsylvania, Michigan apo Wisconsin.

Disa Republikanë janë pesimistë për gjasat e Trumpit, ata besojnë se në shumë shtete ai është prapa, duke u frikësuar se 90 milionë persona që kanë votuar hershëm sugjerojnë një valë që po krijohet kundër presidentit Trump.

Trump ka paralajmëruar se rezultati i zgjedhjeve mund të mos bëhet i ditur të martën natën për shkak të numërimeve të votave me posë në shtetet si Pennsylvania.

“Mendoj se gjasat janë të mëdha se nuk do të keni një vendim, pasi Pennsylvania është shumë e madhe”, ka thënë Trump në fjalimin e tij në Newtown.