Botë

Kasparov: Putin kundër botës së lirë, por po e shijon dështimin

Descriptive Text

Ish-kampioni botëror në shah dhe aktivisti politik opozitar rus, Garry Kasparov, në vitin 2013, ka emigruar nga Rusia në Shtetet e Bashkuara.

Prej atëherë, ai ka vazhduar të jetë kritik i zëshëm i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe në mënyrë të vazhdueshme i ka tërhequr vërejtjen perëndimit se putinizmi paraqet rrezik global.

Në vitin 2015 ai e botoi librin me titullin: “Dimri po vjen: përse Vladimir Putin dhe armiqtë e botës së lirë duhet të ndalen”.

Në intervistën me korrespondentin e Redaksisë për Rusinë të Radios Evropa e Lirë, Mikhail Sokolov, zoti Kasparov është shprehur për raportet e perëndimit me Rusinë prej zgjedhjes së presidentit amerikan, Donald Trump, në nëntor të vitit 2016.

Radio Evropa e Lirë: Shumë gjëra po ndodhin në botë këto ditë, sa që mund të thuhet se është vështirë të vendoset se prej nga të fillojmë. Ndoshta me Rusinë?

Mendoj se ne mund ta llogarisim fitoren e Trumpit në mesin e kompletit të fitoreve të Pirros për regjimin e Putinit.

Garry Kasparov: Mendoj se këto ditë nuk ka kuptim të flitet ndaras për Rusinë, për Shtetet e Bashkuara, për Ukrainën, apo për Evropën. Çdo gjë është e ndërlidhur. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur ju ta keni parasysh strategjinë e Putinit – nëse ju mund ta përdorni këtë fjalë për t’i përshkruar taktikat e tij të mbijetimit, në një botë që ndryshon shumë shpejtë. Sido që të jetë, kjo strategji e tij është krejtësisht e mbështetur në një kurs agresiv të politikës së jashtme. Është shumë e qartë se të gjitha zgjedhjet që po ndodhin në vendet perëndimore, në një mënyrë ose tjetër, kanë përfunduar në orbitën e interesave të Putinit.

Ne mund të themi me besim se në disa raste ndikimi i tij ka pasur efekte serioze dhe bile ka ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve.

Por, në javët e fundit, po ashtu, është bërë e qartë se demokracitë perëndimore kanë kutpuar se aksionet e tilla paraqesin kërcënim serioz për funksionimin e institucioneve demokartike në botën e lirë. Putini ka filluar të kundërshtohet për të parën herë dhe, po ashtu, e ka ndjerë dështimin për të parën herë.

Radio Evropa e Lirë: A doni të thoni se fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe çdo gjë që ka ndodhur prej atëherë, paraqet fitore për Putinin? Ose a do të vendos udhëheqja e re e Shteteve të Bashkuara se putinizmi paraqet rrezik për botën?

Garry Kasparov: Mendoj se ne mund ta llogarisim fitoren e Trumpit në mesin e kompletit të fitoreve të Pirros për regjimin e Putinit. Duket qartas se fitorja e Trumpit ishte - në shumë aspekte - rezultat i operacioneve aktive të shërbimeve sekrete ruse, operacioneve të hakerizmit, që në ditët finale të garës ndërmjet Trumpit dhe ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, ndikuan në sasi të rëndësishme te votuesit amerikanë, të cilët në fund, i zgjodhën republikanët, pasi praktikisht ishin shtyrë larg nga zonja Clinton.

Zgjedhja e tyre nuk ishte ideologjike, por më duket mua, ishte çështje e shijes së formuar nga ndikimi i sulmeve informative dhe them që ishte fitore e Pirros, që ishte menaxhuar në mënyrë të suksesshme nga ata që i kishin nën kontroll sulmet e hakerëve rusë. Unë them, se ishte fitore e Pirros, pasi rezultatet ishin të tilla që Putini dhe Rusia e Putinit, për të parën herë, janë bërë faktorë brenda politikës së brendshme amerikane, që është shumë e pazakonshme.

Por, tash Putin është shndërruar në problem të brendshëm politik për Shtetet e Bashkuara. Programet e lajmeve dhe emisionet e ndryshme janë të dominuara nga kontaktet ndërmjet Trumpit dhe ndihmësve të tij me Rusinë, përfshirë agjencitë e spiunimit të Rusisë.