Botë

Vala e dytë e koronavirusit mbërthen SHBA-në dhe Evropën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Franca kanë regjistruar shifra rekorde rastesh brenda një dite me infektime me koronavirus, në kohën kur vala e dytë po mbërthen pjesë të tëra të Hemisferës Veriore, duke shtyrë disa vende që të zbatojnë kufizime të reja.

Më shumë se 42.9 milionë njerëz raportohet se janë infektuar me koronavirus në shkallë botërore dhe më shumë se një milionë e 151 mijë kanë vdekur, bëhet e ditur në të dhënat e agjencisë Reuters. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë shkallën më të lartë të vdekjeve dhe infektimeve.

Fjala se vaksina e cila po zhvillohet nga Universiteti i Oksfordit dhe “AstraZenca Plc” ka prodhuar reagime imunitare te pleqtë dhe të rinjtë është marrë si shenjë pozitive në kohën kur në Hemisferën Veriore po kalohet nga vjeshta në dimër. Njerëzit tani do të fillojnë të qëndrojnë më shumë kohë në mjedise të mbyllura shoqërore.

Por, sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka kërkuar maturi pasi vaksina nuk do të mund t’u ofrohej të gjithëve deri në vitin tjetër. Ai ka thënë gjithashtu “se ende nuk kemi arritur në atë pikë”.

Mesatarja shtatëditore e rasteve të reja ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka arritur rekord prej 69 mijë e 494 infektimesh, tregojnë të dhënat e Reutersit, përderisa numri i vdekjeve po sillet rreth 800 sosh brenda ditësh. Ky është një trend në ngritje, tregojnë autoritetet.

Me më shumë se 41 mijë pacientë të shtruar në spital, shifra përbën numrin më të lartë, duke sfiduar edhe sistemin e kujdesit spitalor në disa shtete.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i përballur me betejën e madhe për t’u rizgjedhur më 3 nëntor, ka hedhur poshtë raportet se është në ngritje enorme numri i rasteve të reja. Ai ka përsëritur pretendimin e tij të pabazuar se rastet me COVID-19 po rriten për shkak se po kryhen më shumë teste, pretendim që nuk mbështetet nga të dhënat. Ky supozim është rrëzuar edhe nga ekspertët e shëndetësisë.

“Rastet po rriten sepse ne po TESTOJMË, TESTOJMË, TESTOJMË. Konspiracion i mediave të ‘fake newsit’. Shumë të rinj të cilët po shërohen shumë shpejt. 99 për qind. Konspiracioni mediave të korruptuar në kulmin e vet”, ka shkruar Trumpi në një status në llogarinë personale.

Në Evropë, pasqyra është edhe më e zymtë me disa shtete që po raportojnë raste rekorde ditore. Prin Franca me më shumë se 50 mijë raste brenda 24 orëve të fundit, përderisa numri i rasteve në kontinent ka kaluar 250-mijëshin. Franca mund të jetë duke kaluar nëpër një periudhë të jashtëzakonshme me 100 mijë raste të reja në ditë, ka deklaruar profesori Jean-Francois Delfraissy, i cili kryeson këshillin që këshillon qeverinë.