Botë

Tensione të forta në Qipron turke, ekstremistët grekë kalojnë kufirin

Descriptive Text

Provokimet e fundit nga ultra-nacionalistë grekë qipriotë në vendkalimin kufitar Deryneia nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar, tha Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC).

Përmes një deklarate, zëvendëskryeministri i saj dhe Ministria e Punëve të Jashtme nënvizuan se një incident ndodhi mbrëmjen e së dielës nën vëzhgimin e policisë greko-qipriote. Duke vënë në dukje se reagimi i papërshtatshëm nga policia ka inkurajuar grupet fashiste të ndërmarrin veprime nxitëse kundër palës turke, aty theksohej se “provokimet fashiste këtë radhë nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar”.

Zyrtarët nënvizonin faktin që thirrje nga organizatat fashiste janë shfaqur në mediat qipriote greke duke u kërkuar njerëzve të marrin pjesë në demonstrata që do të organizohen në Nikosia në 13 tetor dhe në Deryneia në 17 tetor.

“Ministria jonë kontaktoi me Forcën Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Qipro për të nxitur Administratën Greke të Qipros Jugore të marrë masat e nevojshme për të mbajtur grupet ekstremiste larg kalimeve kufitare”, vazhdon deklarata.

Qiproja është ndarë që nga viti 1974, kur një grusht shteti grek qipriot u pasua nga dhuna kundër turqve të ishullit dhe ndërhyrja e Ankarasë si fuqi garantuese. Procesi i paqes atje prej vitesh ka qenë vazhduar me ndërprerje e bllokime, duke përfshirë dhe një iniciativë të dështuar të vitit 2017 në Zvicër nën kujdesin e vendeve garantuese Turqisë, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar./TCH