Botë

Kur koronavirusi prek majat e pushtetit

Descriptive Text

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi të premten në mesnatë se ai dhe zonja e parë, Melania Trump, kishin dalë pozitivë në testin për koronavirus. Lajmi erdhi vetëm 32 ditë para ditës së zgjedhjeve presidenciale. Prej të shtunës së para dy javëve ai kishte marrë pjesë në dy tubime, dhe në të parin prej tri debateve televizive me ish-zëvendëspresidentin rival Joe Biden. Presidenti dhe zonja e parë tashmë ndodhen në karantinë, në Shtëpinë e Bardhë.

Trumpi është vetëm njëri prej shumë liderëve të botës dhe zyrtarëve të lartë që infektohet me COVID-19, prejse Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli virusin pandemi botërore para më shumë se gjashtë muajsh. Prej presidentit brazilian, Jair Bolsonaro, deri te kryeministri britanik, Boris Johnson, rastet kanë dalluar prej efekteve shëndetësore deri tek ato politike – por secili rast infektimi ka intensifikuar pyetjet lidhur me mënyrën e menaxhimit të pandemisë nga lideri i caktuar. Për fushatën e Trumpit shumëçka varet prej ditëve në vazhdim dhe prej ashpërsisë së simptomave.

Më poshtë është një listë e liderëve më të lartë, të cilët kanë dalë pozitivë për COVID-19 – dhe se çfarë na pret.

Presidenti Donald Trump, SHBA

Njoftimi i Trumpit u kumtua vetëm pak orë pasi “Bloomberg News” raportoi se Hope Hicks, këshilltare e lartë, e cila kishte udhëtuar me presidentin, kishte dalë pozitive për koronavirus. Linja e bartjes mbetet e paqartë dhe administrata duket se qëllimshëm nuk e ka sqaruar pistën e mundshme të ekspozimit. Fushata e Trumpit nuk e kishte njoftuar as ekipin e Joe Bidenit para se të mbahej debati i parë televiziv, ani pse po atë mëngjes ishte marrë vesh edhe zyrtarisht se Hicks kishte dalë pozitiv për koronavirus.

Me Trumpin në karantinë, infektimi i tij tashmë ka çakorduar fushatën presidenciale, por ende nuk dihet se cili mund të jetë ndikimi në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Me 74 vjet dhe me mbipeshë, ende nuk dihet serioziteti i sëmundjes së kryezotit të Shtëpisë së Bardhë.

Shtëpia e Bardhë ngulmon se presidenti dhe zonja e parë po manifestojnë shenja të buta të COVID-19. Por sëmundja e Trumpit përbën kërcënimin më të madh për presidentin amerikan që prej kohës së Ronald Reaganit, të cilin tentuan ta vrisnin më 1981. Mbase ky është kërcënim më serioz në prag të zgjedhjeve presidenciale në historinë politike amerikane.

Tashmë është marrë vendimi për anulimin e zhvillimeve të planifikuara në Shtëpinë e Bardhë, pjesëmarrjen në tubime zgjedhore dhe në debatet e ardhshme televizive. Bideni, por edhe bashkëkandidatja Kamala Harris, kanë dalë negativë në teste për koronavirus.

Kryeministri Boris Johnson, Mbretëria e Bashkuar

Kryeministri britanik, Boris Johnson, 56 vjeç, mendohet të jetë lideri i parë botëror që doli pozitiv për COVID-19. Më 27 mars Johnsoni njoftoi nëpërmjet një xhirimi se ishte infektuar me koronavirus, vetëm një javë pasi qeveria e tij vendosi të hiqte dorë prej strategjisë së imunizimit të tufës ndaj pandemisë.

Megjithëse nuk kishte shkallë të lartë rreziku nga komplikimet e koronavirusit, lideri britanik për pak nuk vdiq prej COVID-19. Pasi përjetoi simptoma të buta në fillim, ai do të shtrihej në spital për një javë. Tri ditë i kaloi në kujdes intensiv. Johnsoni deklaroi më vonë se “mund të shkonte edhe ndryshe”. Johnsoni u tregua më i butë në qasjen e tij të mëvonshme, sidomos në prill, kur pati shifra rekorde të rasteve fatale.

Princi Charles, Mbretëria e Bashkuar

Princi Charles, 71 vjeç, trashëgimtar i fronit britanik, gjithashtu u sëmurë nga COVID-19 në mars. Pasi doli pozitiv u vetizolua bashkë me gruan Camilla, dukeshë e Cornwallit – që doli negative në test – në Skoci.

Në qershor, Charles tha se ishte me fat që përjetoi vetëm simptoma të buta. Ai deklaroi se kaloi “goxha lehtë”. Por këtë e mori si shkas për të folur më shumë për mbrojtjen e mjedisit. Shumë shkencëtarë konsiderojnë se pandemitë janë shpeshtuar, për shkak të prishjes së biodiversitetit.

Princi Alberti i Dytë, Monako

Më 19 mars, princi Alberti i Dytë i Monakos, 62 vjeç, u bë monarku i parë në fron ose lider shteti që doli pozitiv për koronavirus. Në një deklaratë të shkruar, principata njoftoi se simptomat e liderit nuk ishin shqetësuese dhe se do të punonte nga shtëpia. Ai u kërkoi njerëzve që të ndiqnin rekomandimet për mbrojtje nga koronavirusi. Pas dy javësh pallati bëri të ditur se Alberti kishte marrë plotësisht veten.

Kryeministri Avdullah Hoti, Kosovë

Kryeministri kosovar, Avdullah Hoti, njoftoi më 2 gusht në Facebook se ishte prekur me koronavirus dhe se do të vetizolohej për dy javë. Hoti, 44 vjeç, ka thënë se “nuk kishte simptoma, pos një kollitje të lehtë”.