Botë

Parlamenti i Malit të Zi mblidhet për herë të parë pas zgjedhjeve

Parlamenti i ri i Malit të Zi është mbledhur për herë të parë që nga zgjedhjet e muajit të shkuar, me deputetët e grupeve të vjetra opozitare që pritet të bashkohen për të formuar qeverinë e re e për të përjashtuar partinë që udhëhoqi shtetin për rreth 30 vjet.

Edhe pse Partia Demokratike e Socialistëve fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e 30 gushtit, një koalicion i tri partive të tjera siguroi shumicën në parlamentin me 81 ulëse.

Liderët e koalicionit - “Paqja është kombi ynë”, “E zeza mbi të bardhën” (me udhëheqësin Dritan Abazoviq), “Për të ardhmen e Malit të Zi” - kanë thënë të mërkurën se janë pajtuar kush do të jetë kryeparlamentari i ri e kush kryeministri i ri, raporton AP.

Ka pasur pasiguri nëse qeveria e re do të shtyjë Malin e Zi jashtë rrugës pro-perëndimore, por liderët janë zotuar se qeveria e re do të forcojë lidhjet me NATO-n e do të përshpejtojë reformimin e nevojshëm për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.

Qeveria e re, nëse konfirmohet, do të marrë vendin në periudhë pandemie e me sezon të dështuar turizmi.