Botë

Ish-avokati thotë se Trumpi synon të bëhet diktator

Ish-avokati i presidentit Donald Trump, Michael Cohen, ka thënë se ish-shefi nuk është duke bërë shaka me qëndrimet se dëshiron të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë më shumë se dy mandate.

Në një intervistë për CNN-in, Cohen ka thënë se Trumpi dëshiron të jetë diktator i Shteteve të Bashkuara. Sipas tij, presidenti amerikan dëshiron të ndërrojë Kushtetutën amerikane për t’ia mundësuar vetes mandatin e tretë dhe të katërt.

Ish-avokati ka thënë se këtë dëshirë Trumpi ia ka shprehur presidentit të Kinës dhe se e adhuron Kim Jong-unin e Koresë Veriore për shkak se ka mandat të përjetshëm.

Cohen ka thënë se presidenti do të kërkojë zgjatjen e mandatit, duke vënë në dyshim integritetin e zgjedhjeve të nëntorit nëse nuk i fiton ato ose duke i fituar zgjedhjet me qëllimin kryesor: ndryshimin e Kushtetutës.