Botë

Vaksina anti-COVID bëhet pjesë e debatit presidencial në SHBA

Donald Trump dhe Joe Biden kanë lëshuar akuza të ashpra në drejtim të njëri-tjetrit në lidhje me pozicionin që ata mbajnë për çështjen e vaksinës kundër koronavirusit.

Presidenti Trump la të kuptohet se vaksina mund të jetë gati përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit dhe e akuzoi rivalin e tij demokrat për deklarata të pamatura kundër vaksinës.

Biden u shpreh skeptik nga ana e tij se kreu i Shtëpisë së Bardhë do të dëgjonte shkencëtarët dhe do të bënte një proces transparent.

SHBA-ja është e para në botë për sa i përket të infektuarve me koronavirus me mbi 6 milionë raste. Virusi ka marrë mbi 190 mijë jetë dhe ka goditur rëndë punësimin dhe ekonominë.

Javën e kaluar Qendra Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve iu bëri thirrje shteteve që të përgatiten për shpërndarjen e vaksinës anti-Covid për personelin mjekësor dhe personat më të rrezikuar më 1 nëntor, 2 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Asnjë vaksinë nuk i ka kompletuar të gjitha testet klinike dhe për këtë arsye shumë shkencëtarë i frikësohen idesë se politika ka ndërhyrë më shumë seç duhet në këtë çështje. \ A2news