Botë

Rusia, Serbia dhe Bjellorusia, në ushtrime ushtarake “Vëllazëria Sllave” në kufi me Poloninë

Descriptive Text

Rusia, Serbia dhe Bjellorusia po mbajnë ushtrime të përbashkëta ushtarake afër kufirit të Bjellorusisë me Poloninë, që është anëtare e NATO-s.

Në ceremoninë e sotme të hapjes, koloneli rus, Aleksei Sgibnev, tha se ushtrimet “Vëllazëria Sllave-2017” tregon se “të tri shtetet kanë arritur bashkëpunim të ngushtë dhe po përgatiten që së bashku ta luftojnë të keqen më të madhe të kohës sonë: terrorizmin ndërkombëtar”, shkruan REL.

Në këtë ushtrim marrin pjesë më se 300 ushtarë rusë, 400 bjellorusë dhe 50 trupa nga Serbia.

Ushtrimet pritet të zgjasin deri më 14 qershor.

Ky ushtrim i përbashkët afër Polonisë, që është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, ka filluar një ditë pasi Mali i Zi është bërë anëtari i 29-të i NATO-s.

Ky është ushtrimi i tretë ushtarak me emrin “Vëllazëria Sllave”.