Botë

Protesta në Bullgari, kundërshtohen ndryshimet kushtetuese e kërkohet largimi i qeverisë

Të paktën 45 persona mbetën të lënduar gjatë përplasjeve mes policisë së Bullgarisë dhe protestuesve, ndërsa parlamenti nisi të diskutojë projektimin për të krijuar një kushtetutë të re që synon shuarjen e tubimeve javore antiqeveritare.

Përleshjet filluan midis protestuesve dhe policisë, të cilët arrestuan 35 persona. Protestuesit hodhën vezë, mollë dhe plehra kundër parlamentit, i cili ishte i rrethuar nga forcat e sigurisë.

"Unë sinqerisht dhe fuqimisht shpresoj që ndryshimi mund të ndodhë pa dhunë dhe në mënyrë paqësore. Edhe pse siç e shohim në vendet e tjera ndryshimi është i vështirë. Unë shpresoj se ka akoma pak mend tek "Kungulli" (Kryeministri Bullgar). Varet nga ai nëse ndryshimi do të jetë paqësor apo jo, gjithçka do të varet nga ndërgjegjja, nga përgjegjësia e tij", shprehet protestuesja Bostra Chorbadzhiiska.

Presidenti Bullgar Rumen Radev i bëri thirrje qeverisë të tërhiqet duke u bërë jehonë kërkesave të mijëra protestuesve të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe kryeprokurorit, duke i akuzuar se kanë lejuar që një mafie oligarkike të marrë kontrollin e vendit.

Demonstruesit kanë bllokuar rrugët dhe kanë organizuar protesta të përditshme në kryeqytetin bullgar dhe qytete të tjera për afër dy muaj, duke bërë presion për dorëheqjen e Kryeministrit Bojko Borisov dhe kryeprokurorit Ivan Geshev.

Borisov tashmë ka shkarkuar disa ministra kryesorë dhe së fundmi ka propozuar miratimin e një kushtetute të re, por protestuesit i kanë hedhur poshtë këto lëvizje/euronews.