Botë

LeBron James kthehet në forcë politike për zgjedhjet në SHBA

Dy vjet pasi që një komentues konservator i tha LeBron Jamesit që “ta mbyllë gojën dhe të driblojë”, ylli i NBA-së është bërë një fuqi politike me ndikim, gjersa çështjet e të drejtës racore dhe shtypjes së votuesve afro-amerikanë janë duke u bërë tema të rëndësishme para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

James, që është një aktivist i zëshëm dhe kritik i shpeshtë i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ndihmuar në formimin e një grupi i cili do të shpenzojë me miliona dollarë në luftimin e zhvlerësimit të votave të komunitetit afro amerikan para zgjedhjeve të 3 nëntorit, shkruan Reuters.

Ai gjithashtu ka shtyrë që NBA-ja të pranojë pabarazitë racore përbrenda saj si dhe lëvizjen “Black Lives Mater”, përfshirë edhe vendimin që të shtyhen lojërat e playoffit këtë javë pas bojkotit për shkak të vrasjes së Jacob Blaket, një afro-amerikani i cili u vra nga policia në Wisconsin, transmeton KOHA.

Ky vendim bëri që Trumpi të kritikojë ligën e basketbollit të enjten, duke thënë se ishte “sikur një organizatë politike”.

James, i cili ka bërë kampanjë për kandidaten presidenciale të vitit 2016 Hillarry Clinton, ka premtuar se do të bëjë kampanjë edhe për kandidatin e Partisë Demokratike, Joe Bidenin këtë vit. Analistët dhe aktivistë të shumtë thonë se ndikimi i tij mund të jetë kritik këtë vit, për shkak nevojës së Partisë së Demokratëve që të sigurojnë sa më shumë vota nga komuniteti afro-amerikan.

“LeBroni pritet të ketë ndikim masiv”, ka thënë Karen Finney, analiste politike e Demokratëve. “Ai ka respektin dhe kredibilitetin në mesin e komunitetit afro-amerikan, andaj është aset i jashtëzakonshëm”.

Donna Brazile, ish-udhëheqëse e Komitetit Kombëtar Demokratik, po ashtu ka thënë se James dhe yjet tjera që po kërkojnë vëmendjen, po e bëjnë këtë duke kërkuar ndryshim.

“Ajo që ata po thonë për fansat e tyre është se nëse doni ndryshim, duhet të votoni për ndryshim. Nëse dëshironi ta rregulloni një gabim, ju duhet të dërgoni në zyrë ata që mund të ndryshojnë gjërat”, ka thënë ajo.

James gjithashtu ka formuar grupin për të drejtat e votimit të quajtur “Më Shumë se një Votë”, së bashku me sportistë tjerë të njohur, për të kundërshtuar keqinformimin dhe luftimin e shkeljes së votimit nëpër komunitetin e afro-amerikanëve.

Grupi do të bashkëpunojë me Fondin për Mbrojtje Globale NAACP me një nismë që do të kushtojë me miliona dollarë, për të rekrutuar punonjës në pika votimi nga komuniteti afro-amerikan në dhjetëra shtete të SHBA-së.

35-vjeçari James, basketbollist i LA Lakers, konsiderohet si një ndër basketbollistët më të mirë në histori.