Botë

Kriza sekrete siriane e koronavirusit

Shakaja mbizotëruese në mesin e qytetarëve të Damaskut, teksa kushtet e tyre të jetesës janë në çdo aspekt të rënduara, është se për fat të mirë numri i të infektuarve me koronavirus në Siri është po aq i saktë sa dhe fakti se valuta e këtij shteti është e barasvlershme me dollarin amerikan – që i bie aspak.

Siria – e shtrënguar që të përballet me luftën, sanksionet dhe krizën ekonomike – ka kohë që thuhet se po përballet edhe me përhapjen masive të koronavisurit, ani pse këtë gjë regjimi nuk e pranon. “Foreign Policy” tanimë ka konfirmuar se përhapja aty është reale – dhe se motivimet e regjimit për mohimin e këtij fakti janë edhe më cinike sesa që duken në sipërfaqe.

Në orën 4:00 të mëngjesit të 20 korrikut, Anas al-Abdullah (emri i të cilit është ndryshuar, si shumica e atyre që përmenden në artikull) i mbërthyer nga ethe dhe shumë i sëmurë vizitoi spitalin “Al-Mujtahid” në Damask. Brenda vetëm 12 orëve, ai vdiq dhe shumë pak pas kësaj u varros në varrezat “Najha” të shkretëtirës në periferi të kryeqytetit.

“Najha” njihet ndryshe si vendi ku regjimi ka varrosur disa prej qindra e mijëra viktimave të sistemit famëkeq të burgjeve.

Megjithëkëtë, pamjet e fundit satelitore dhe fotografitë e publikuara në rrjetet sociale kanë zbuluar se “Najha” është shndërruar në vendin e prehjes së fundit të sirianëve të vdekur nga koronavirusi.

Vdekja në përpjekje të frymimit

Mjekët i kishin thënë familjes së Abdullahut të mbërthyer nga zia se ai e kishte sëmundjen COVID-19, dhe vetë fakti se ishte varrosur në Najha nga zyrtarët qeveritarë e konfirmon një gjë të tillë. Mirëpo, në certifikatën e tij të vdekjes përmendet si shkak pneumonia, në atë që e la familjen në hamendësime.

Babai i Abdullahut, një besimtar i devotshëm që e mbështeti kryengritjen kundër Bashar al-Assadit, shpesh qe përndjekur nga zyrtarët e Inteligjencës së shtetit dhe ka ikur në Katar nga frika e persekutimit. Megjithëkëtë, Abdullah pranoi të heshtte dhe me gjithë rrezikun u kthye në vend. Më nuk ishte vënë në shënjestër të regjimit por në fund u vra tërthorazi prej anës së tij.

Ai ka vdekur në përpjekje për ta thithur një grimcë ajri, pa e pasur në dispozicion një respirator, në njërin prej tri spitaleve të Damaskut që supozohej të ishin të pajisur për të trajtuar pacientët me koronavirus. Vëllai i tij pranoi të flasë për revistën, në kushtin e anonimitetit.

“Në fillim, mjekët ia dhanë një respirator, por më vonë ia morën për ta intubuar dikë tjetër”, tha ai. “Kjo gjë e shkaktoi vdekjen e tij. Nuk e dimë nëse mjekëve u është kërkuar që ta fshehin shkakun e vërtetë, në mënyrë që Qeveria t’i paraqesë numrat si të ulëta, por krejt kjo është shumë e habitshme. Por nuk mund të them më shumë - e dini si e kemi situatën”.

Sipas Qeverisë, vetëm rreth 2.300 persona kanë rezultuar pozitivë në teste dhe më pak se njëqind të tjerë kanë vdekur nga virusi. Por këto shifra nuk janë as një fraksion i vogël i bilancit të përgjithshëm, kanë thënë me dhjetëra sirianë, përfshirë edhe ata që dyshojnë se familjarët e tyre kanë vdekur nga virusi, dhe disa të tjerë që ishin tepër të frikësuar të raportonin se ishin infektuar, por edhe punëtorët shëndetësorë që u ankuan për mungesë të gjurmimit të kontakteve dhe mjeteve për mbrojtjen e tyre dhe pacientëve.

Së paku gjashtë imamët kryesorë të Damaskut, tre punëtorë të mediave, dy gjykatës dhe disa anëtarë të Komitetit Kushtetues Sirian kanë rezultuar pozitivë. Në dëshminë e mëtutjeshme të përhapjes së pakontrolluar të virusit, Jordani ka mbyllur kufijtë e tij veriorë si rrjedhojë e shpërthimit të infektimeve në Sirinë fqinje.

Deklaratat e vëllait të Abdullahut e shpien revistën në drejtimin e dhjetëra të tjerëve që ishin të karantinuar në lagjen e Damaskut, al-Midan, ku jetonte Abdullahu. Ata pretenduan se i njohin me qindra të tjerë. Nipi i Abdullahut dhe fqinji i tij kanë që të dy simptoma, por se parapëlqejnë të izolohen në shtëpi dhe të shmangin kësisoj spitalet shtetërore, për aq sa munden.

“Kam frikë të shkoj në qendrën e karantinimit. Aty është sikurse në burgje”, ka thënë nipi. “Ia kam frikën qeverisë”.

“Qendrat e karantinës janë sikur qendrat e burgimit, ku civilët torturohen dhe lihen në vdekje”. ka shtuar fqinji.

Këto komente e pasqyrojnë frikën e thellë të sirianëve nga Qeveria, e cila zgjedh represionin, arrestimet dhe hedhjet në burgje të atyre që dyshohen, qoftë edhe pak, për konspiracion ndaj shtetit.

Fshehja e rasteve

Njëra prej arsyeve pse shifrat zyrtare të koronavirusit në Siri janë kaq të ulëta është se jo të gjitha prej tyre evidentohen. Shumë sirianë thonë se duan që t’u shmangen autoriteteve shkaku i botëkuptimeve të tyre politike apo ngase druajnë se mund të lihen që të vdesin nëpër qendrat jofunksionale shëndetësore. Por vështirësia më e madhe është zbardhja e shifrës se përnjëmend shkaku i refuzimit sistematik të shtetit për t’u ballafaquar me problemin.

Një kirurg ortopedik në spitalin “Al-Mujtahid”, i cili po ashtu kërkoi që të mbetej anonim, ka thënë se babai i tij ka vdekur nga virusi dhe se ai tani nuk po mundet t’i sigurojë testet për 30 të afërmit që kanë shfaqur simptoma tipike. Ai ka thënë se askush në Ministrinë e Shëndetësisë nuk e ka marrë mundin për t’i gjurmuar kontaktet dhe frenuar përhapjen.

“Spitalet duhet që t’i testojnë 10.000 njerëz në ditë, por testojnë vetëm një të dhjetën e tyre, dhe atë në rastin më të mirë”, ka thënë ai. “Qeveria e di si është puna, por nuk kuptojmë pse nuk e zbulon realitetin”.