Botë

Navalny dhe arsenali rus i helmeve ekzotike

Descriptive Text

Kritikë të shumtë të politikave të Kremlinit – spiunë të dikurshëm, gazetarë dhe politikanë – janë helmuar gjatë disa dekadave të fundit në Rusi.
Në Britaninë e Madhe, në shënjestër ishin dy ish-agjentë të shërbimit sekret të Rusisë: Alexander Litvinenko, që vdiq pasi u helmua me polonium radioaktiv më 2006, dhe Sergei Skripal, i cili shpëtoi pasi iu ekspozua agjentit nervor Novichok më 2018.

Në të dy rastet, Kremlini e mohoi përfshirjen.

Alexei Navalny, i cili më herët ishte sulmuar fizikisht, del të jetë viktima më e fundit e këtij trendi. Megjithëse shumëçka për rastin e tij mbetet e paqartë.
Helmimet misterioze që përfshijnë rusët rëndom mbesin të mbuluara me petkun e misterit – një avantazh ky i qartë për vrasësit, krahasuar me mënyrat e vjetruara të vrasjes me armë zjarri në mes të rrugës.

Profesori Mark Galeotti, një ekspert i çështjeve ruse pranë Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, ka thënë se “helmi i ka dy karakteristika: finesën dhe teatralitetin”.

“Është aq delikate sa mund ta mohoni, apo ta keni të vështirë që ta dëshmoni. Dhe merr kohë për të vepruar, e pastaj prodhon të gjitha llojet e agonisë, dhe në fund të fundit helmuesi mund ta mohojë me një përpëlitje dinake syri, ama të gjithë e kuptojnë shenjën”.

Halë në sy të Kremlinit

Alexei Navalny është aktivisti më i njohur antikorrupsion i Rusisë dhe figurë e shquar opozitare. Është i shkathtë dhe goditës në videot e tija të postuara në rrjetet sociale, të cilat kanë gjeneruar me miliona shikime dhe e kanë shndërruar njëherësh në halën në sy të Kremlinit.

Një viktimë e helmuar pak para nisjes për një fluturimi të gjatë që i kërkon qëndrim të konsiderueshëm në qiell i ofron vrasësit mundësinë e mirë për ikje. 44-vjeçari Navalny u sëmur faktikisht sa ishte në qiell gjatë fluturimit të kthimit nga Tomski i Siberisë në Moskë, më 20 gusht – dhe u sëmur aq rëndë saqë aeroplani u detyrua të ndryshonte drejtim për në Omsk.

Gazetarja hulumtuese ruse dhe po ashtu kritikja e Putinit, Anna Politkovskaya, e cila u qëllua për vdekje në vitin 2006, kishte pretenduar gjithashtu të ishte helmuar gjatë një fluturimi drejt Kaukazit Verior më 2004, kur u sëmur dhe humbi ndjenjat.
Ngjashëm kështu, një helm me veprim të ngadaltë - polonium-210 – ka çuar drejt vdekjes torturuese ish-agjentin Litvinenko dhe për më tepër asokohe ishin dashur javë të tëra për ta identifikuar toksinën e rrallë. Ishte aq e sofistikuar dhe e rrallë saqë toksina nuk u detektua as nga njehsori i radioaktivitetit.

Dy vrasësit e supozuar rusë – agjentë shtetërorë, sipas hetimeve pasuese britanike – kishin kohë të bollshme për t’u kthyer me aeroplan në atdhe, fare pa u dyshuar.

Navalny kishte përfituar shumë armiq në Rusi dhe atë jo vetëm mes përkrahësve të presidentit Vladimir Putin, partinë e të cilit Rusia e Bashkuar ai e cilësoi si “parti hajdutësh e hajnash”.