Botë

Navalni, rivali i Putinit, në koma pas helmimit

Gjermania nisi një avion-ambulancë për të marrë në Berlin nga Siberia liderin opozitar rus, Alexei Navalny, i cili është në gjendje kome pas helmimit një ditë më parë. Por kreu i spitalit ku është shtruar Navalny këmbëngul se 44-vjeçari nuk duhet lëvizur, pasi gjendja e tij shëndetësore është kritike.

Zëdhënësja Kira Yarmysh e quajti këtë vendim të mjekut “një tentativë ndaj jetës së kreut të opozitës”. Ekipi i Navalnyt dyshon se atij i është hedhur në substancë toksike në filxhanin e çajit që piu në aeroport. Navalny u ndje keq gjatë fluturimit drejt Moskës nga qyteti i Tomskut në Siberi dhe avioni pas kësaj u detyrua të bënte ulje emergjente.

"Ne supozojmë se Aleksei ishte helmuar me diçka të përzier në çajin e tij. Ishte e vetmja gjë që ai piu në mëngjes. Mjekët thonë se helmi ishte tretur më shpejt për shkak të lëngut të nxehtë", u shpreh ajo. Agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi pronarët e kafenesë të thoshin se po kontrollojnë kamerat e sigurisë për të parë se çfarë kishte ndodhur.

Zëdhënësja Yarmysh bëri një krahasim të ngjarjes me një incident vitin e kaluar në të cilën Navalny pësoi një reaksion akut alergjik për të cilin një mjek tha se mund të kishte rezultuar nga helmimi me një kimikat të panjohur.

Spitali Charite i Berlinit është i gatshëm ta trajtojë kritikun e ashpër të Vladimir Putinit dhe shpresat janë që Rusia do ta lejojë largimin e tij. Rezistenca megjithatë është e fortë; një ekip mjekësh specialist nga Moska janë mbledhur në Omsk për të vendosur nëse ai mund të dërgohet ose jo në Gjermani.