Botë

OKB-ja paralajmëron krizë humanitare në Liban

Foto: AP

Agjencitë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar për krizë humanitare në Liban pas shpërthimit shkatërrues në Bejrut të martën.

Libani veçse po vuante nga një krizë e madhe ekonomike para eksplodimit, i cili la së paku 154 të vdekur e 5,000 të lënduar dhe 300,000 njerëz pa kulm, shkruan BBC.

Dega e OBSH-së World Food Programme (WFP) tha se dëmtimi i portit të Bejrutit do të çrregullojë furnizimet me ushqim dhe do të ngritë çmimet edhe më shumë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se sistemi shëndetësor ishte shumë i dëmtuar, me tre spitale jashtë funksionit.

Ndërkohë presidenti i Libanit e refuzoi një hetim ndërkombëtar mbi eksplodimin, dhe tha se zyrtarët do të hetojnë nëse ishte ndezur nga një bombë, transmeton KOHA.

“Shkaku ende nuk është gjetur. Ka mundësi të një ndërhyrjeje nga jashtë me anë të ndonjë predhe ose bombe apo diçka tjetër”, tha Michel Aoun.

Para eksplodimit të së martës, 75% të libanezëve kishin nevojë për ndihma, dhe 33% kishin humbur punët, ndërsa një milion njerëz po jetonin në skamje.

Zëdhënësja e WFP-së Elisabeth Byrs tha të premten se organizata ishte e brengosur për dëmtimet e rënda që iu bën portit të Bejrutit, ngase kjo do të kufizojë qarkullimin e furnizimeve me ushqim.

WFP po dërgonte 5,000 parcela të ushqimit që do të mjaftonin për të ushqyer një familje pesë anëtaresh për një muaj, dhe planifikonte të dërgonte edhe miell, ka thënë ajo.

Libani gjithashtu ka pasur rritje të rasteve me koronavirus por 17 kontejnerë me maska, pajisje mbrojtëse dhe dorëza të dërguara në Bejrut nga OBSH, ishin shkatërruar tërësisht.