Botë

Arrestohen 16 persona për shpërthimin në Bejrut, nisin protestat

Foto: AP

Forcat libaneze të sigurisë janë përballur me dhjetëra demonstrues antiqeveritar mbrëmjen e së enjtes, të zemëruar nga shpërthimi shkatërrues si shprehja më tronditëse e paaftësisë së qeverisë. Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi të paktën 137 viktima dhe rreth 10 mijë të plagosur.

“Populli dëshiron rënien e regjimit”, thërrisnin protestuesit, të cilët dolën në rrugë për të kërkuar reformë, transmeton Shqip raportimin e mediave të huaja. Ndërkohë me lopata në duar, gërmonin në sheshin qendror të Bejrutit.

Mediat e huaja shkruajnë se protestat nisën pasi autoritetet në Liban arrestuan 16 persona pas një hetimi urgjent mbi shpërthimin e madh që shkatërroi zonën e portit të Bejrutit dhe pjesën më të madhe të qytetit.

Gjykatësi Fadi Akiki, një përfaqësues i qeverisë në gjykatën ushtarake, tha se më shumë se 18 persona janë marrë në pyetje deri tani, përfshirë zyrtarët e portit dhe doganave, Aktualisht janë 16 persona në arrest, tha Akiki, ndërsa të tjerët mbeten nën hetim.

Ndërkohë kujtojmë se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri një vizitë të paralajmëruar në Bejrut të enjten, duke deklaruar se ai ishte atje për të ofruar mbështetje për qytetarët e Libanit, por jo domosdoshmërish për qeverinë e saj.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shpërthimi nuk ishte rezultat i një sulmi, por thjesht pasojë e pakujdesisë.

Shumë vende po dërgojnë furnizime urgjente në Liban; të enjten, aeroplanët që mbartin ndihma vinin nga Tunizia, Italia, Rusia dhe Maroku. Gati 80,000 fëmijë janë zhvendosur nga katastrofa, sipas një vlerësimi të UNICEF.

Shpërthimi i fuqishëm dëmtoi gjithashtu të paktën 12 institucione të kujdesit shëndetësor dhe shkatërroi një spital për fëmijë.