Botë

Vdes një fëmijë dhe helmohen mbi 800 persona nga mishi i prishur në Jordani

Një fëmijë ka vdekur dhe mbi 800 persona tjerë janë dërguar në spital pasi janë helmuar duke ngrënë mish të prishur në një restorant jashtë kryeqytetit të Jordanit, Ammanit.

Restoranti po ofronte Shawarma me gjysmë çmimi, ku mishi mbështillet me petë.

Zyrtarët shëndetësorë zbuluan se mishi nuk ishte mbajtur në temperatura të ftohta në kohën kur ky vend po përjeton valë të madhe të vapës që shkon deri në 40 gradë celsius, shkruan BBC.

Tre persona, përfshirë edhe pronarin e restorantit, janë burgosur.

Djaloshi pesë vjeç është njëri nga 826 njerëz që përfunduan në spital. Djaloshin e lëshoi zemra dhe mjekët nuk mundën ta shpëtonin, tha Mohammad Abed, drejtori i Spitalit Princi Husein.

Nga e mërkura, katër persona janë në përkujdesje intensive dhe 321 tjerë mbetën të shtrirë në spital, transmeton KOHA.

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thanë për televizionin shtetëror se mishi ishte infektuar ngase nuk ishte mbajtur në frigorifer. Jordani është duke përjetuar temperatura shumë të larta, që po shkojnë përmbi 40 gradë celsius.