Botë

Donald Trump nuk do të marrë pjesë në darkën vjetore

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në darkën vjetore në Shoqatën e Korrespondentëve në Shtëpinë e Bardhë.

Përmes një postimi në Twitter, presidenti amerikan theu traditën gati 100 vjeçare, e cila filloi në vitin 1920, transmeton Koha.net.

Darka është një ngjarje vjetore e profilit të lartë, në të cilën marrin pjesë të famshmit, politikanët dhe gazetarët.

Ky vendim vjen për shkak të “luftës” së Trumpit me mediat.

“Nuk do të marrë pjesë në darkën vjetore të këtij viti në Shoqatën e Korrespondentëve në Shtëpinë e Bardhë. Ju uroj të gjithëve të mirat dhe kaloni një mbrëmje të mrekullueshme!”, ka shkruar Trump në Twitter.

Ai nuk tha se do të anulojë ngjarjen, e cila është e caktuar që të mbahet më 29 prill në Washington.

Sipas Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, Trump nuk është i vetmi president në historinë e SHBA që e kaloi këtë ngjarje, por është i pari që e bën këtë 30 vjetët e fundit.

Së fundmi, Trump ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me mediat duke i quajtur gazetarët “armiqtë e popullit”.