Botë

Edrogani viziton Aja Sofian pasi kthimit të saj në xhami

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka bërë vizitë befasuese në Aja Sofia, vetëm pak ditë para se të mbahen lutjet e para myslimane në këtë vend historik të Stambollit, pasi që u kthye në xhami javën e kaluar.

Gjatë vizitës së shpejtë e cila u quajt si inspektim, Erdogani shkoi për të parë se si po shkojnë punët e konvertimit, tha zyra e presidentit të shtunën, duke treguar fotografi të skelave brenda ndërtesës, shkruan Al Jazeera.

Autoriteti religjioz i këtij shteti, Diyanet, tha se ikonat e krishtera në këtë ndërtesë do të mbulohen “në mënyrë të përshtatshme gjatë kohës kur janë lutjet”.

Nuk ishte e qartë nëse Erdogani planifikon të jetë në mesin e 500 besimtarëve që do të marrin pjesë në lutjet e së premtes.

Gjykata supreme e Turqisë e shtroi rrugën për konvertimin e kësaj ndërtese në xhami duke ia hequr statusin si muze që kishte për pothuajse një shekull, transmeton KOHA.

Ndërtesa e shekullit të gjashtë ka qenë e hapur për të gjithë vizitorët, pavarësisht fesë së tyre, që nga inaugurimi si muze në vitin 1935.

Ndërtesa që është në listën e UNESCO-s për trashëgimi botërore u ndërtua si katedrale gjatë perandorisë së Bizantit por u kthye në xhami pas pushtimit të Kostandinopojës nga Otomanët në vitin 1453.

U kthye në muze gjatë reformave të rëndësishme të autoriteteve post-otomane, nën themeluesin e republikës moderne të Turqisë Mustafa Kemal Ataturkun.

Vitin e kaluar Erdogan pat thënë se kthimi i Hagia Sofias në një muze kishte qenë “gabim shumë i madh”.

Kthimi i kësaj ndërtesë historike në xhami ka ndezur mllefe tek të krishterët dhe tensione në mes të armiqve historikë Turqisë dhe Greqisë, që të dy anëtare të NATO-s.