Botë

Maxwell deklarohet e pafajshme për akuzat

Ghislaine Maxwell, ish-e dashura e abuzuesit seksual Jeffrey Epstein, është deklaruar e pafajshme të martën për rastin e ngritur kundër saj në gjykatën federale në Manhattan lidhur me akuzat për trafikimin e të miturave.

Një deklarim të tillë ajo e bëri përmes një video-lidhjeje nga New Yorku, ku po mbahet e burgosur në pritje të gjykimit. Avokatët e saj kanë kërkuar lirimin e Maxwellit me dorëzani prej 5 milionë dollarësh shkaku i rrezikut nga prekja prej koronavirusit në burg. Mirëpo prokurorët federalë në SHBA kanë thënë se ajo mund të ikën nga vendi dhe prandaj duhet të mbetet në paraburgim.

Prokurorët e ngarkojnë Maxwellin se gjatë viteve 1994 dhe 1997 ka ndihmuar Epsteinin, i cili ka vdekur në burg, që të joshë vajza të reja të cilat i ka keqpërdorur pastaj seksualisht. Ajo u arrestua më 2 korrik në shtëpinë e saj në Bradford të New Hampshire dhe ngarkohet me 17 pika të aktakuzës rreth aferës së lidhur me Epsteinin.

Po qe se shpallet fajtore, ajo mund të dënohet me 35 vjet burgim.