Botë

Rekord i rasteve të reja me koronavirus në Indi

Foto: Reuters

Në Indi vazhdimisht po kryhen teste, përderisa numri i regjistruar i të infektuarve ka arritur 850 mijë me një numër rekord prej 28.637 rasteve të raportuara në 24 orët e fundit.

Ministria e Shëndetësisë ka raportuar 551 vdekje të tjera në 24 orët e fundit, duke regjistruar 22.674 fatalitete, transmeton KOHA.

India, madje, ka kapërcyer edhe Rusinë në numrin e rasteve pozitive, por aktualisht është pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit. India ka raportuar më shumë se 20 mijë raste çdo ditë, për gati dy javë tani.

Ministria ka thënë se niveli i rikuperimit po vazhdonte të përmirësohej në 62 për qind. Numrat aktualë, si kudo tjetër në botë, mendohet se janë shumë më të lartë për shkak të një numri arsyesh, përfshirë testimin e kufizuar.

New Delhi, Mumbai, Chennai, Bangalore dhe Pune janë ndër qytetet kryesore indiane që dëshmojnë një rritje të infeksioneve. Autoritetet njoftuan një mbyllje javore në qendrën kryesore të teknologjisë jugore, Bangalore.

Disa shtete kanë njoftuar rregulla të rrepta në zona me rrezik të lartë, për të ngadalësuar përhapjen e infeksioneve.