Botë

India synon të përdorë 500 vagonë treni për pacientët me koronavirus

Foto: Reuters

Qeveria Federale e Indisë ka thënë të dielën se do t’i japë autoriteteve të qytetit të New Delhit 500 vagonë treni që do të pajisen me mjete për t’i ndihmuar pacientët me koronavirus, pasi që rritja e numrit të rasteve ka shkaktuar mungesën e shtretërve nëpër spitale, shkruan Reuters.

Vagonët do të rrisin kapacitetin e New Delhit për 8,000 shtretër, ka thënë Ministri i Punëve të Brendshme, Amit Shah, pas takimit me ministrin kryesor të këtij qyteti.

Qeveria gjithashtu do t’i shtojë testimet në këtë qytet, posaçërisht në zonat e karantinuara, të bëjë anketa të banorëve derë më derë dhe të furnizon qytetin me bombola oksigjeni dhe ventilator, ka thënë ai, transmeton KOHA.

India është shteti i katërt më së keqi i prekur nga koronavirusi në botë, me rastet që sa shkojnë e shtohen.

Të dielën raportoi rritjen rekorde të numrit të të prekurve, me 12,000 raste të reja të konfirmuara, dhe me një total prej 320,000 personave të infektuar, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë.

Me më shumë se 22,000 raste aktive, New Delhi është shteti i tretë më i prekur pas rajoneve Maharashtra dhe Tamil Nadu. Ministri kryesor i New Delhit, qytet ky me 20 milionë banorë, ka thënë se numri i infektimeve në këtë qytet pritet të tejkalon përmbi gjysmë milioni deri në fund të muajit korrik.