Botë

Protesta në Bosnjë, zyrtarët akuzohen për korrupsion gjatë pandemisë

Descriptive Text

Me mijëra qytetarë të Bosnjës dolën sot në rrugë për të protestuar kundër qeverisjes së keqe, nacionalizmit dhe korrupsionit pasi zyrtarë të lartë të qeverisë përballen me akuza korrupsioni për shkak të furnizimeve me ventilatorë me defekt për pacientët më COVID-19, ka raportuar Reuters.

Protesta u organizua nga një parti e vogël, Platforma për Progres, të cilës iu bashkëngjitën edhe grupe tjera opozitare.

Njerëzit që mbanin maska, ose shtynin karroca të fëmijëve, marshuan në paqe nga Qyteti i Vjetër i Sarajevës e deri te ndërtesa e Kuvendit. Shumica mbanin balonë të verdhë me flamurin e Bosnjës.

Bosnja është prekur nga skandale të shumta korrupsioni, shpesh të lidhura me zyrtarët e partive në pushtet, por shumica e tyre asnjëherë nuk janë dënuar.

Zgjedhjet lokale të caktuara për 4 tetor janë shtyrë për më shumë se një muaj për shkak të mungesës së fondeve, pasi që qeveria dështoi në miratimin e buxhetit për vitin 2020.

Në skandalin e fundit të korrupsionit, kryeministri i Federatës autonome Boshnjake-Kroat, Fadil Novaliq, ka mohuar akuzat rreth parregullsive në furnizimin me ventilatorët nga Kina, transmeton KOHA.