Botë

Gjigantët farmaceutikë e refuzuan më 2017-n planin e BE-së për vaksinat

Kompanitë më të mëdha farmaceutike të botës e kishin hedhur poshtë një propozim të BE-së, tri vjet më parë, për të përshpejtuar prodhimin e vaksinave për patogjenët si koronavirusi, gjë që do t’ua jepte mundësitë që ato të jenë në dispozicion para një epidemie, ka zbuluar britanikja “The Guardian”.

Plani për përshpejtim dhe miratim të vaksinave ishte paraqitur prej përfaqësuesve të Komisionit Evropian, anëtarë të Nismës për Mjekësi Inovative (IMI) – një partneritet ky publiko-privat, detyrë e të cilit është përkrahja e hulumtimeve më të reja në Evropë. Por, ai ishte hedhur poshtë nga partnerët e industrive në këtë trup, raporton KOHA.

Argument i komisionit kishte qenë se hulumtimi mund të “lehtësojë zhvillimin dhe miratimin rregullator të vaksinave ndaj patogjenëve kryesorë, në përmasat e së mundshmes para një epidemie”. Megjithatë, kompanitë farmaceutike në IMI nuk e përkrahën idenë.

Kjo gjë është zbuluar në raporton e publikuar nga “Corporate Observatory Europe” (COE), qendër hulumtimi në Bruksel, që po studion vendimet e marra nga IMI, nismë me buxhet prej 5 miliard eurosh.