Botë

Rusia regjistron numrin më të ulët të rasteve me COVID-19 që nga 1 maji

Rusia të mërkurën ka regjistruar numrin më të ulët të rasteve të reja me koronavirus që nga 1 maji, ndërsa më tepër pacientë janë liruar nga spitali sesa që ka pasur raste të reja. Zyrtarët thonë se kjo është shenjë se shpërthimi është duke u stabilizuar më në fund.

Rusia ka numrin e dytë më të madh të rasteve me koronavirus në botë, ku gjendet vetëm prapa SHBA-së. Të mërkurën janë raportuar 8764 raste të reja, duke sjellë shifrën totale në mbi 300 mijë.

Me 135 të vdekur brenda 24 orëve, shifra totale ende mbetet më e ulët se 3000, dukshëm më pak sesa në shumë vende evropiane që janë goditur më herët nga pandemia.

Por, numri i lartë i të infektuarve dhe goditja që ka pësuar ekonomia shkaku i masave të marra për të parandaluar përhapjen e pandemisë, janë në mesin e sfidave më të mëdha të presidentit Vladimir Putin në dy dekadat e tij në krye.

Kryeministri Mikhail Mishustin, që është kthyer në punë këtë javë pasi është shëruar nga virusi, ka thënë se lajmi se më tepër pacientë janë lëshuar nga spitali sesa numri i të infektuarve të ri, tregon se situata po stabilizohet gradualisht, veçanërisht në Moskë.

“Ky është lajm i mirë dhe ndoshta ne kemi kaluar pikën më të lartë të ngarkesës në sistemin shëndetësor”, ka thënë Mishustin përcjell agjencia Reuters.

Tash, në javën e tetë të mbylljes, kryeqendra Moska është pjesa që është goditur më së rëndi nga koronavirusi në Rusi.

Po ashtu ka pasur shpërthime edhe në rajone tjera, po këtë javë Putin ka folur për shpërthimet në Dagestan, ku ka urdhëruar ushtrinë të ndërtojë spital të improvizuar dhe po ashtu i ka thënë Ministrisë së Emergjencave që të dërgojë skuadra të dezinfektimit.

Disa kritikë dhe familjarë të personave që kanë vdekur e vënë në pyetje numrin e ulët të vdekurve në Rusi nga COVID-19. Rusia e ka mbrojtur këtë shifër.