Botë

“Evropa duhet të përgatitet për valën e dytë të koronavirusit”

Descriptive Text

Parashikimi i një vale të dytë të koronavirusit në Evropë nuk është më teori e largët, sipas drejtoreshës së agjencisë evropiane përgjegjëse për parandalim të sëmundjeve.

“Pyetja është se kur dhe në çfarë madhësie, kjo është pyetja sipas meje”, ka thënë Andrea Ammon, drejtoreshë e Qendrës Evropiane për Parandalim dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Qeveritë në Evropë tashmë kanë nisur të lehtësojnë masat e izolimit për shkak të koronavirusit. Megjithatë, sipas Ammonit, gjithçka duhet të bëhet me kujdes “sepse asgjë akoma s’ka përfunduar”.

“Ajo që po shohim është, në njërën anë, pjesa ekonomike për bizneset e vogla dhe të mesme, por edhe përvoja e njerëzve që të mësohen me pamundësinë e shfrytëzimit të të gjitha lirive që kemi: Të shkojmë ku të duam, e të jemi me kë të dua. Dhe ky është ndryshim fondamental në jetët tona normale. Në veçanti tani është e qartë se numri i infeksioneve po bie, njerëzit mendojnë se ka marrë fund. Por jo, definitivisht jo”, ka thënë ajo, raporton “The Guardian”.

Ajo tani beson se beteja për koronavirusin do të jetë shumë e gjatë. “Nuk e di nëse do të jetë përgjithmonë, por nuk mendoj se do të shkojë shumë shpejt”, ka shtuar drejtoresha e ECDC-së.

Ammon ka paralajmëruar njerëzit se pushimet verore më s’do të jenë sikur në të kaluarën.

“Ajo që po themi është se ata duhet të jenë të përgatitur që edhe nëse ka pushime dhe shkojnë diku, nuk do të jetë njëjtë siç ishte vitin e shkuar. Në këtë fazë nuk mund të themi se mund të shkoni, lani duart dhe gjithçka do të jetë në rregull. Ju duhet të mbani distancën. Këto masa duhet të respektohen”, ka deklaruar Ammon.

Amon ka përsëritur se ishte fundi i janarit kur ishte bërë e qartë se virusi që mund të marrë jetë mund të bartej nga një njeri te tjetri. ECDC kishte këshilluar qeveritë evropiane më 26 janar që të forcojnë kapacitetet e shërbimeve shëndetësore.

Në nivel global janë konfirmuar 4.9 milionë raste me koronavirus. 323 mijë është numri i vdekjeve, ndërsa janë shëruar më shumë se 1.7 milionë njerëz.