Botë

Në SHBA, 77 mijë të vdekur dhe 1.3 milionë të infektuar me koronavirus

Foto: Reuters / ilustrim

Numri i të vdekurve në SHBA si pasojë e koronavirusit është afër të arrijë në 77 mijë dhe situata aktuale nuk jep shumë shpresë për përmirësim të shpejtë të situatës me pandeminë, shkruan Reuters.

Që nga mesi i prillit, mesatarja ditore e të vdekurve në SHBA ishte 2.000, me gjithë masat e marra që pandemisë t’i ndalet hovi.

Ndërkohë numri i të infektuarve ka shkuar gati në një milion e 300 mijë dhe në shtetet si Illinois, Maryland, Minnesota, Tennessee, Texas, Virginia dhe Wisconsin, rastet po shkojnë duke u shtuar.

Në dy shtetet me numrin më të madh të rasteve me COVID-19, New York dhe New Jersey, në javët e fundit ka pasur rënie të numrit të të infektuarve.

Ekspertët kanë paralajmëruar se numri i të vdekurve do të rritet gjatë verës së vonshme, pasi amerikanët kanë nisur shpejt të vizitojnë restorantet dhe sallat e fitnesit.

Shtetet amerikane po nxitojnë, me gjithë rrezikun, të hapin dyert për bizneset, pasi që nga 21 marsi kanë humbur vendet e tyre të punës rreth 33.5 milionë veta.