Botë

Mafia, varfëria dhe pandemia

Qe nëntë vjet prejse Salvatore Pappalardo punon si punëtor bamirësie në qytetin bregdetar italian, Katania, ai asnjëherë nuk ka parë më shumë dëshpërim se gjatë dy muajve të kaluar.

“Kam parë ngritje të jashtëzakonshme të italianëve që kërkojnë shërbimet tona të ushqimit”, thotë Pappalardo, i cili punon si koordinator në “Caritas Diocesana”, organizatë kombëtare bamirësie. “Deri në fillim të këtij viti, ne ndihmonim kryesisht emigrantët, por tani ne ndihmojmë rreth dyqind italianë në ditë. Shumicës së tyre iu vjen turp të vijnë, por më thonë se nuk kanë tjetër çare”.

Më 9 mars, kryeministri italian, Giuseppe Conte, zbatoi karantinën kombëtare në përpjekje për të luftuar shpërthimin më të madh të koronavirusit në Evropë, që deri tani ua ka marrë jetën më shumë se 29 mijë italianëve dhe ka infektuar më shumë se 210 mijë persona. Punët jo të domosdoshme janë shtrënguar të ndalen, dhe qytetarët janë lejuar të dalin vetëm për nevoja urgjente – ku kërkohej edhe një dëshmi për të gjitha lëvizjet e lejuara.

Pa punë e pa bukë

Gjatë ditëve të para të mbylljes, xhirimet e italianëve që po koordinoheshin në grup për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit ishin kthyer në imazh kombëtar të qëndrueshmërisë. Por vala fillestare e përshëndetjeve nga ballkonet dhe tarracat anembanë vendit u ndalën para disa javësh në Italinë Jugore, ku shpresa u është dorëzuar trazirave sociale.

“Uria dhe varfëria janë më të frikshme se virusi”, ka shpjeguar Pappalardo, derisa po përgatiste njërën prej 500 pakove ushqimore, që shoqata e tij ua dërgon njerëzve në nevojë.

Situata e jashtëzakonshme shëndetësore deri tani ka ndikuar kryesisht rajonet veriore të Italisë. Jugu, me më pak raste të vdekjeve nga koronavirusi, duket të ketë shmangur më të keqen e pandemisë. Sipas Contes, mbyllja e hershme në jug kishte për qëllim që të kursente sistemin shëndetësor edhe ashtu të dobët të jugut nga një krizë si ajo në rajonin e Lombardisë. Por për qytetarë si Rosella, një nënë 46-vjeçare e tre fëmijëve, që siguron ushqimin nga donacionet ushqimore dhe të veshmbathjeve të sjella nga “Caritasi” dhe që ka kërkuar të mos i publikohet edhe mbiemri për arsye sigurie, mbyllja është shkaktare e gjendjes së rënduar të familjes.

“Tashmë kam humbur punën jetike për mua si pastruese shtëpie”, ka thënë ajo, duke treguar se burri i punonte si hamall pa ndonjë punë të rregullt. Ai tashmë ka ngelur në shtëpi. “A do të më paguajë Qeveria për këta muaj që kam mbetur pa të ardhura? Nuk ma merr mendja”, ka thënë ajo.

Dallimi i madh ndërmjet veriut dhe jugut

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave të Italisë janë më shumë se 3.5 milionë punëtorë të ashtuquajtur të padukshëm, të punësuar në të zezë në Itali dhe të cilët varen prej angazhimit ditor, si puna e Rosellas dhe burrit të saj. Ata janë njerëzit më të goditur nga mbyllja, pa qasje në planet financiare për shkak se nuk janë të regjistruar, përderisa fondet zyrtare po ndahen vetëm për punëtorët e regjistruar.

Në pesë rajone të jugut të Romës, plus dy ishuj, gjendja ekonomike edhe ashtu ishte shqetësuese qysh para se të mbërrinte virusi, me shkallën e papunësisë në 17 për qind dhe me atë në mesin e të rinjve deri në 50 për qind – krahasuar me 27 për qind të shkallës së papunë të të rinjve në nivel vendi dhe dhjetë për qind të shkallës së përgjithshme të papunësisë (me shkallën e papunësisë në veri që nuk shkonte më shumë se gjashtë për qind).

Kjo ndarje veri-jug ka ardhur si rezultat i më shumë se një shekulli të ndikimit të krimit të organizuar në rajonet jugore, ku sistemi i konsoliduar i korrupsionit politik i kontribuoi mjerimit në jug, sidomos në sistemin e shëndetësisë. Tani Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik parashikon se 27 për qind e italianëve rrezikohen nga varfëria si rezultat i kufizimeve të punës në kohën e mbylljes, duke lënë në hije edhe krizën më të madhe ekonomike qysh prej Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse në raport shifrat nuk i ndajnë rajonet, padyshim se jugu do të goditet më së rëndi.

“Bamirësia” e mafisë

Shteti ka krijuar një fond solidariteti prej më shumë se 4.3 miliardë eurosh që do të ndahet nga komuna – pjesë e pakos më të gjerë ekonomike të ndihmës, që kap vlerën prej 435 miliardë eurosh. Qytetet do të menaxhojnë fondet pavarësisht, duke përcaktuar se kujt dhe si do të ndahen gjatë tre muajve të ardhshëm. Qyteteve u janë ndarë edhe 440 milionë vlerë monetare për pako ushqimore që do të jenë nën menaxhim të kryetarëve, por komunat në jug thonë se këto fonde nuk do të mjaftojnë për të shmangur krizën.

Por fondet edhe ashtu janë vonuar dhe pritet të shpërndahen, duke iu dhënë kështu mundësi grupeve të krimit të organizuar, që edhe ashtu tashmë kanë nisur të ofrojnë shërbimet e domosdoshme dhe të fitojnë legjitimitet në këtë proces. Në Napoli, mafia është vetofruar si promovues i ushqimit dhe huave për ushqim. Në Palermo, vëllai i bosit të mafisë është raportuar se është parë duke shpërndarë pako ushqimore në lagjen më të varfër të qytetit. Kryetari i Palermos, Leoluca Orlando, ka paralajmëruar se grupet mafioze janë tashmë të gatshme “të shfrytëzojnë dëshpërimin e qytetarëve të varfëruar tani nga koronavirusi” dhe ka kërkuar që të ketë më shumë prani policore në rajon – por që vazhdimisht ka qenë punë e vështirë për autoritetet e sigurisë që të kenë kontrollin në periferi të qyteteve, që kontrollohen nga grupet kriminale. \ FP