Botë

Ndryshimi i rregullave në Angli - miliona njerëz më shumë mund të testohen për Covid-19

Testimi për koronavirus është bërë i qasshëm edhe për miliona persona më shumë në Angli, pasi që ky shtet i zbuti rregullat e aplikimit për testimin e qytetarëve.

Qasja më e madhe do të thotë se banorët dhe punëtorët e shtëpive të përkujdesjes për të moshuarit mund të testohen, qofshin me apo pa simptoma, raporton BBC, transmeton KOHA.

Personat mbi 65 vjeçar dhe kushdo që i duhet të dalë nga shtëpia për të shkuar në punë mund ta rezervojnë testin e tyre nëse kanë simptoma.

Zyra e Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar po synon ta arrijë cakun e saj deri të enjten, për realizimin e 100.000 testeve në ditë, derisa 43.000 të tilla u bënë të hënën.

Zgjerimi i qasjes në testim do të thotë se përveç punëtorëve shëndetësorë dhe pacientëve, 25 milionë njerëz mund ta rezervojnë testin e tyre në faqen online të qeverisë, ka thënë koordinatori i testimeve John Newton në programin Today në BBC Radio 4.

Deri në mbrëmjen e 28 prillit Mbretëria e Bashkuar ka raportuar për mbi 161.000 të infektuar dhe 21.000 të vdekur nga COVID-19.