Botë

50.000 të vdekur në SHBA nga COVID-19

Numri i vdekjeve në SHBA nga koronavirusi ka kaluar shifrën prej 50.000.

Reuters shkruan se kjo shifër pritet të arrihet gjatë ditës, organizatat tjera që merren me të dhëna për pandeminë, njoftojnë se kjo shifër është arritur tashmë.

Sipas “Worldometers”, numri i saktë i të vdekurve është 50.243.

Ndërkohë, rreth 886.709 amerikanë janë prekur me COVID-19 dhe mesatarisht 2.000 kanë vdekur çdo ditë këtë muaj, thuhet në një raport të Reuters.

Numri i vërtetë i rasteve mendohet të jetë më i lartë. Zyrtarët shtetërorë të shëndetit paralajmërojnë se ka mungesë të punëtorëve dhe materialeve dhe që kanë kapacitete të kufizuara për testime.

Rreth 40 për qind e vdekjeve kanë ndodhur në shtetin e New-York, epiqendrën e shpërthimit në SHBA. Pasojnë New-Jersey, Michigan dhe Massachusetts.

Në nivel global, koronavirusi ka shkaktuar vdekjen e gati 192.000 personave që nga fillimi i shpërthimit të virusit në Kinë në fund të vitit të kaluar.

SHBA-ja me popullsinë e tretë më të madhe në botë, ka dy herë më shumë vdekje sesa vendet që e ndjekin në këtë statistikë, si Italia me 25.549 vdekje, Spanja me 22.524 dhe Franca me 21. 856.