Botë

Kroacia zgjat izolimin, nis lehtësimin e masave

Foto: Reuters

Kroacia ka zgjatur periudhën e izolimit edhe për 15 ditë, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm Davor Bozhinoviq të shtunën, duke shtuar se qeveria po shikon nëse është e mundshme që të lehtësojë gradualisht disa masa për qarkullim.

Një muaj më herët, qeveria mbylli të gjitha kafenetë, shkollat e transportin publik duke lënë të hapur vetëm farmacitë e dyqanet ushqimore dhe stacionet e benzinës.

Kroatët ishin të lejuar të dilnin nga shtëpitë vetëm për të blerë gjëra esenciale apo medikamente, por jo në grupe. Shumë njerëz kanë punuar nga shtëpia.

Deri tash janë regjistruar 1832 raste me Covid-19 në Kroaci, me 39 persona që kanë vdekur. Të shtunën, numri i rasteve u rrit për 18, që paraqet rritjen më të ulët që nga rasti i parë i regjistruar më 17 mars.

Numri i rasteve të reja ka shënuar rënie së fundmi, me 50 raste të reja të enjten, e 23 të premten. Të dielën e shkuar, autoritetet njoftuan për 66 raste të reja.

“Kemi vendosur të zgjasim periudhën e izolimit edhe për 15 ditë, deri më 4 maj”, ka thënë Bozhinoviq, raporton “Reuters”.

Ai ka thënë se qeveria po mendon të lehtësojë disa masa për të ndihmuar ekonominë, por në të njëjtën kohë të vazhdohet me kujdesin ndaj shëndetit të qytetarëve.

Një nga masat që pritet të merret është lejimi i daljes nga shtëpitë, por udhëtimi do të mundësohej vetëm brenda rajoneve të caktuara, brenda shtetit.