Botë

Koronavirusi tkurr ekonominë e Kinës për herë të parë në dekada

Descriptive Text

Ekonomia e Kinës është tkurrur për herë të parë në dekada, në tremujorin e parë të 2020-s, si pasojë e mbylljes së fabrikave dhe bizneseve për shkak të koronavirusit.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë u tkurr për 6.8 për qind, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të premten.

Rënia ekonomike e një ekonomie si ajo e Kinës pritet të jetë shqetësim i madh për shtetet tjera.

Kina është një superfuqi ekonomike si prodhuese e mallrave dhe ofrim të shërbimeve.

Kjo është hera e parë që Kina ka parë rënie të ekonomisë në tremujor që kur nisi të mblidhte të dhënat çerekëshe në 1992.

“Rënia e GDP-së në periudhën janar-mars do të përkthehet në rënie të të hyrave, do të reflektojë në falimentime mes kompanive të vogla e humbje të vendeve të punës”, ka thënë Yue Su nga Njësia e Inteligjencës për Ekonomi.

Vitin e shkuar, Kina ka parë rritje ekonomike prej 6.4 për qind në tremujorin e parë, në një periudhë kur ishte në luftë tregtare me Amerikën.

Në dy dekadat e fundit, Kina ka pasur rritje ekonomike mesatarisht prej nëntë për qind në vit, edhe pse ekspertët kanë vënë në pikëpyetje këto të dhëna.

Kina ishte vendi ku shpërtheu për herë të parë Covid-19. Deri tash në këtë vend janë infektuar mbi 83 mijë njerëz e kanë vdekur më shumë se 4600.

Të dhënat:

  • Prodhimi ishte 1.1 për qind më pak në muajin mars
  • Shitjet pësuan rënie prej 15.8 për qind muajin e shkuar
  • Papunësia arriti në 5.9 për qind, pak më mirë se 6.2 sa ishte në shkurt